Të premten, derisa fliste në konferencën për shtyp para ndeshjes së Barcelonës ndaj Alavesit, Xavi Hernandez mes tjerash tha se “La Liga është e falsifikuar”, mendim i cili ishte shprehur edhe nga presidenti i klubit, Joan Laporta.
Komentet e Xavit ishin si përgjigje e polemikave në fitoren 3:2 të Real Madridit ndaj Almerias, transmeton Gazeta Express.
Këto deklarata bënë jehonë të madhe në Spanjë, duke prekur veçanërisht ata që janë të lidhur me “Los Blancos”.
Mirëpo, sipas “La SER”, Xavi nuk do të ndëshkohet nga Komiteti i Garave i Federatës Spanjolle të Futbollit për këtë çështje. Në raport sqarohet se sanksionohen vetëm akuza të rënda dhe të drejtpërdrejta për një gjyqtar të caktuar.
Dhe, për shkak se 44-vjeçari iu referua garës në tërësi, besohet se nuk do të ndëshkohet nga Federata spanjolle.
Kjo do të thotë që Xavi do të jetë në ndeshjet e ardhshme të Barcelonës në La Liga, në të cilat “Blaugranët” shpresojnë ta zvogëlojnë diferencën e pikëve me liderin, Real Madridin (58 pikë), dhe skuadrën e pozitës së dytë, Girona (56 pikë).
Barça është e treta në tabelë me 50 pikë.