Nëpërmjet një hulumtimi ekskluziv nga Gazeta Neutral, u zbulua se në ordinancën stomatologjike “Dent Line” e cila operon në Prishtinë, ka të punësuar një punëtore e cila kryen detyrën e stomatologes pa qenë e licencuar nga institucionet shëndetësore të Kosovës.
Burimet e Neutral bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Gentiana Musa, ku në emër të saj, ordinanca pranon edhe termine nga pacientët për të kryer shërbime stomatologjike.
Përmes një inskenimi në rolin e pacientit, Neutral ka kontaktuar në numrin zyrtar të ordinancës “Dent Line” për të siguruar një termin për të kryer kontrollë stomatologjike tek “doktoresha”, Musa.
Nga kjo ordinancë kanë konfirmuar se pranojnë termin tek Musa.
Ndryshe, Gazeta Neutral ka pyetur Inspektoratin e Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me rastin dhe deri në publikimin e këtij lajmi nuk kanë kthyer përgjigje.
Leja dhe licencimi bëhet nga Bordi për Regjistrim dhe Licencim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe monitorohet nga Inspektorati Shëndetësor.
Në bazë të Udhëzimit Administrativ, institucionet shëndetësore që kanë të punësuar profesionistë shëndetësorë pa licencë gjobiten mijëra euro.
Mjeku ose ndonjë profesionist tjetër shëndetësor që punon pa licencë mund të po ashtu me mijëra euro.
Në Inspektoratin Shëndetësor punojnë gjithsejtë 13 zyrtarë: kryeinspektori, asistenti ekzekutiv, zyrtari i arkivit dhe dhjetë inspektorë shëndetësorë.
Kosova, viteve të fundit, është duke u përballur me mungesë mjekësh dhe infermierësh, pasi një numër i tyre ka migruar kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës u ka bërë thirrje profesionistëve të fushave të ndryshme mjekësore në mesin e mërgatës shqiptare, që të angazhohen dhe punojnë në institucionet shëndetësore publike të Kosovës.