Ministria e Mbrojtjes flet për skandalin: Vetëm një truprojë është përgjegjës për veturën e Maqedoncit, sapo të kthehet ministri do të merren masat

Gazeta Neutral tash e disa ditë është duke raportuar për skandalin e fundit që ka ndodhur në Ministrinë e Mbrojtjes, ku vetura zyrtare e ministrit Ejup Maqedonci u keqpërdor nga Skender Zeneli, i cili nuk kishte autorizim për ta vozitur veturën e as patentë shofer.

Për rastin në fjalë, nga Ministria e Mbrojtjes janë deklaruar për Neutralin.

Zëdhënësja e kësaj ministrie, Liridona Gashi tha për Neutralin se “Personi përgjegjës për automjetin dhe i vetmi i autorizuar është njëri nga truprojat e tij”.

Gashi, shtoi se aktualisht Maqedonci gjendet në vizitë zyrtare jashtë vendit, dhe se rasti do të shqyrtohet sapo të kthehet.

“Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci gjendet për vizitë zyrtare jashtë vendit. Rasti do të shqyrtohet nga ministri sapo të kthehet në Kosovë dhe të ketë raportin e plotë të Policisë Ushtarake, në përputhje me të cilin do të veprohet në shqiptimin e masave”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

Kur ndodhi skandali?

Pasditja e së dielës të 28 janarit, rezultoi të jetë ditë “adekuate” për keqpërdorim të veturës zyrtare të ministrit Maqedonci derisa ky i fundit gjendet në një vizitë zyrtare në Turqi.

Skender Zeneli, i cili është vëllai i shoferit të kësaj ministrie, Zenel Zenelit dyshohet ta ketë marrë veturën Audi A7 paautorizim dhe me drita rotative ka vozitur lirshëm rrugëve të Prishtinës.

I njëjti, u ndal në fshatin Bardhosh në një pikë kontrolli rutinore të Policisë së Kosovës, anipse Zeneli duke përdorur dritat rotative kishte tentuar të mos lërë gjurmë tek zyrtarët policor.

Zeneli, sipas burimeve të Gazetës Neutral pasi ishte kapur nga Policia, kishte deklaruar se përvec që nuk është person i autorizuar për të vozitur makinën e ministrit, ai nuk kishte as patentë shofer.

Me të pranuar informatën nga Policia e Kosovës, vetura është marrë nga Policia Ushtarake e vendit.

Ndryshe, rasti nuk është raportuar në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës. Gazeta Neutral, tash e sa ditë është në pritje të përgjigjeve nga Policia, mirëpo deri në publikimin e këtij atikulli, kë të fundit nuk janë deklaruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *