Bekim Çollaku, ish-këshilltar i Hashim Thaçit, ka thënë se avokati i ekipit të ish-presidentit, Gregory Kehoe ka qenë i njoftuar me kohë se do t’i përfundojë kontrata, pasi të gjithë kanë kontrata një vjeçare.
“Shuma që e mbulon Ministria e Drejtësisë për të akuzuarit, në këtë rast për presidentin Thaçi, është tërësisht e pamjaftueshme, e njëjta shumë vjetore nuk mjafton as për të mbuluar shpenzimet e stafit mbështetës e lëre më për avokatët që janë të angazhuar në këtë proces”, ka thënë ai.
Tutje ai ka thënë se letra e lëshuar nga Kehoe, për të cilën u raportua në media, është procedurale pasi që avokati ka qenë i njoftuar me kohë për kufizimin dhe vështirësitë financiare të fondacionit.
“Prandaj në rastin konkret paralajmërimi dhe letra të cilën avokati kryesor i ekipit Gregory Kehoe i ka dërguar trupit gjykues është një letër procedurale pasi avokati Kehoe i ka qenë i njoftuar me kohë, pasi që kontrata të cilën e ka fondacioni për mbrojtjen juridike të presidentit Thaçi, për të gjithë avokatët veç e veç janë kontrata një vjeçare, nuk janë disa vjeçare ajo ka përfunduar, Kehoe ka qenë i njoftuar me kohë që për shkak të kufizimit dhe vështirësive financiare që është duke u ballafaquar fondacioni do të jetë e pamundur që e njëjta kontratë do të mund të vazhdohet edhe për këtë vit”, ka theksuar ai.