Gazeta Neutral ka raportuar sot një skandal që ka ndodhur gjatë ditës së diel, ku vetura zyrtare e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci u keqpërdor nga një qytetar i thjeshtë.
Burimet e Gazetës Neutral bëjnë të ditur se me veturën zyrtare të Maqedoncit u “shëtit”, Skender Zeneli.
Zeneli, i cili nuk posedon autorizim për ta vozitur veturën e ministrit, për më tepër nuk kishte as patentë shofer. Gjatë xhiros që po bënte, ai u kap nga Policia në fshatin Bardhosh të komunës së Prishtinës.
Për të mos lënë gjurmë tek organet e rendit, Zeneli kishte vozitur veturën me alarm rotativ si metodë për të mos u kapur nga Policia e Kosovës.
Si u kap Skender Zeneli?
Fshati Bardhosh, vetëm 6 kilometra larg Prishtinës është vendi ku Skender Zeneli u kap nga Policia e Kosovës gjatë një kontrolle rutinore.
Derisa po “shëtitej” rrugëve të fshatit, me drita rotative të ndezura, Zeneli ra shumë shpejtë në duart e organeve të rendit. I njëjti, pasi u ndal nga Policia, kishte deklaruar se nuk është person i autorizuar për ta vozitur veturën e tipit “Audi A7”.
Sipas burimeve të Gazetës Neutral, vetura është marrë nga Policia Ushtarake e vendit.
Ndryshe, ky rast nuk është publikuar në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.