Keqpërdorimi i veturave zyrtare nga zyrtarë të institucioneve të shtetit është i shpeshtë. Disa prej tyre janë kapur e shkarkuar nga detyra, por, deri tani nuk është dëgjuar ende në publik që vetura e një ministri të keqpërdoret nga një qytetar i thjeshtë, raporton Gazeta Neutral.
Së fundmi, një skandal ka ndodhur në Ministrinë e Mbrojtjes, ku vetura e ministrit Ejup Maqedonci ka përfunduar në “duart” e një personi krejtësisht të panjohur për ministrinë, raporton Gazeta Neutral.
Gazeta Neutral merr vesh ekskluzivisht se vetura zyrtare e ministrit është vozitur nga një person (emër i njohur për redaksinë), i cili nuk posedon as patentë shofer.
Ngjarja ka ndodhur të dielën, derisa i dyshuari kishte keqpërdorur veturën duke lëshuar rotacionin dhe duke vozitur lirshëm në fshatin Bardhosh të Prishtinës.
I njëjti është kapur nga Policia e Kosovës ndërsa është vazhduar me procedurat e mëtejme.
Ndërsa, në raportin 24 orësh të Policisë, kjo ngjarje nuk është raportuar.