Policia e Kosovës me autorizim të prokurorisë, ka publikuar të premten fotografinë e dy personave të cilët po kërkohen si të dyshuar për implikim në një rast të vjedhjes.
Sipas njoftimit, vjedhja ka ndodhur më 13 dhjetor 2023, në një dyqan në qendrën tregtare “Prishtina Mall”.
Policia me këtë rast ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e personave të shpallur në kërkim.
“Me qëllim të zbatimit efikas të procedurës, në hetimin që po zhvillohet për rastin ‘Shpërdorimi i pasurisë së huaj’ të ndodhur më 13.12.2023, në një dyqan në qendrën tregtare Prishtina Mall, kërkojmë nga publiku i gjerë kontributin qytetar që me informacionet e tyre të ndihmojnë në drejtim të identifikimit të personit të dyshuar sipas tipareve fizike apo lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarve të shpallur në kërkim”, thuhet në komunikatën për media.