Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka mohuar të kenë informacione faktike, për arrestimin e Drilon Berbatit nga autoritetet serbe, për të cilin thuhet se është zyrtar në Agjencinë për Regjistrim Civil, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
PMPJD ka pohuar se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi nuk ka arritur ende të konfirmojë zyrtarisht arrestimin e shtetasit kosovar.
”Si edhe në rastet e mëhershme, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd nëpërmjet ambasadorit Jashari i ka dërguar shkresë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë përmes së cilës ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që ta konfirmojë arrestimin eventual, të ofrojë sqarime për arsyet e arrestimit dhe të bëjë të ditur vendin (qendrën e paraburgimit), ku është duke u mbajtur shtetasi i Republikës së Kosovës”.
”MPJD do t’ju mbajë të informuar nëse pranon informata të reja dhe që mund të jenë me interes për mediat dhe publikun”, kanë deklaruar për Klankosova.tv nga MPJD.
Berbati është kapur me rreth 18 kilogramë drogë të llojit marihuanë, në pikën e kalimit kufitar në Batrovc të Serbisë.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Serbisë gjatë kontrollit të veturës janë gjetur 32 pako me narkotikë që janë sekuestruar.
Mediat në Kosovë kanë raportuar se Berbati akoma punon në MPB, megjithatë pretendohet se i njëjti ishte suspenduar nga detyra me një vendim të dhënë me datë 14 gusht të vitit 2023.