Një grua është përballur me një sulm serioz nga një burrë para një hoteli në qytetin e Ferizajt.
Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur të premten në rrugën ‘Rexhep Selimi’ para restorant-hotel ‘Mita’, kur 38-vjeçari i ishte vërsulur gruas që ta sulmojë fizikisht.
Sipas informacioneve të para, ai fillimisht e kishte kërcënuar me fjalë e më pas e kishte keqtrajtuar duke e kapur për flokësh. Për fatin e 41-vjeçares, aty pranë kanë qëlluar të jenë disa kalimtarë rasti që kanë ndërhyrë dhe e kanë shpëtuar gruan nga duart e të dyshuarit.
Për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë arrestuar personin e dyshuar dhe e kanë shoqëruar në stacion policor.
Pas intervistimit nga hetuesit policorë, prokurori ka nxjerrë aktvendim qe të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Kanosja’ dhe ‘Sulmi’.