Komisioni i Pavarur për Media ka gjobitur me 100 mijë euro katër operatorët kabllorë, me 64 mijë euro operatorin ‘Artmotion’, me 26 mijë euro operatorin kabllor ‘Kujtesa’, me 7 mijë euro operatorin ‘Ipko’ dhe me 3 mijë euro operatorin ‘Telkos’.
Kjo pas ankesave të qytetarëve ndaj këtyre operatorëve të cilët kishin ndaluar transmetimin e kanaleve të platformës “Digitalb” pa paralajmërim.
Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, arsyetoi vendimin dhe tregoi shkeljet nga operatorët.
“Kemi disa shkelje të rregulloreve, operatorët kanë vepruar kundër rregulloreve si njoftimi 30 ditë para për ndryshimet e planifikuara. Operatorët kanë vepruar në kundërshtim me obligimin për të njoftuar KPM-në për ndryshimet. Duke u bazuar në numrin e ankesave KPM do të veprojë për sanksionimin duke ofruar gjobën maksimale brenda ligjit që është 100 mijë euro”- tha ai.
Mehmeti gjithashtu ka përmendur si shkelje mospajisjen e konsumatorëve me listën e kanaleve kur ata kanë bërë kontratën.