Policia e Kosovës ka konfirmuar se një vajzë është lënduar si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e objektit të Komunës së Prishtinës në Arbëri.
E lënduar është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci tha se nuk ka viktima.
“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën “Nora e Hotit” në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Aktualisht policia ka nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha Borovci.
Për gjendjen e vajzës së lënduar ka folur Drejtori i Emergjencës, Naser Syla.
“Sapo është sjellë në Emergjencë, është duke u trajtu nuk dihet ende a është jashtë rrezikut për jetë mosha e saj është rreth të 20-tave”, deklaroi Syla.