Qendra e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë e ka konfirmuar se nuk ka të vdekur nga rënia e kulmit të objektit të komunës së Prishtinës në lagjen Arbëria.
Drejtori i QMU-së Dr. Avdyl Pacolli ka dhënë detaje nga intervenimi i ekipit mjekësor të këtij institucioni në vendin e ngjarjes.
“Është një grua e lënduar. Ka pësuar politraumë dhe traumë të shumëfishtë në ekstremitete. Një plagë në kokë. Pacientja është stabilizuar në vendin e ngjarjes dhe me parametra stabil është dërguar në Emergjencën e QKUK-së”, ka bërë të ditur Avdyli.
Ai ka thënë se nuk ka persona tjerë të lënduar dhe fatmirësisht nuk ka asnjë viktimë.
Erëra të forta para pak minutash kanë rrëzuar çatinë e objektit të ri të komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria”. Kjo ka shkaktuar edhe disa dëme materiale tek veturat që shihen të parkuara afër objektit.