Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar njohje të reja për Kosovën. Ajo ka thënë se së shpejti pritet të merren vendime, pa përmendur se cilat shtete janë potenciale si njohje të reja.
Osmani këtë e ka deklaruar në një intervistë për Gazetën Reporteri, duke përmendur krahas kësaj edhe liberalizimin e vizave e blerjen e armëve mbrojtëse për Kosovën.
“Në fakt ky vit ka nisur me një sërë lajmesh të mira për Kosovën, nga heqja e regjimit të vizave me BE e deri te konfirmimi nga Departamenti i Shtetit të kërkesës së Kosovës për blerje të sistemeve të armëve mbrojtëse. Për shumë punë që bëjmë intenzivisht, rezultatet shihen tek më vonë. Por, përveç shumë kontakteve me shtete jonjohëse, kemi arritur suksesshëm të rikonfirmojmë gati të gjitha shtetet që u patën deklaruar për gjoja çnjohje, e të ndërtojmë aleanca të reja me shtetet që së shpejti pritet marrin vendimin për njohje”, ka deklaruar ajo.
Kosova njohjen e fundit e ka nga shteti i Izraelit, të cilën e mori falë marrëveshjes ekonomike me Serbinë në shtator të 2021-ës.
Që nga atëherë, që prej ardhjes në pushtet, Qeveria Kurti ende asnjë njohje s’ia ka sjellë Kosovës.