Prokuroria Themelore në Prishtinë ka përpiluar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët u arrestuan nën dyshimet për përfshirjen në vrasjen e rëndë të 30-vjeçares, Liridona Ademaj.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka njoftuar se brenda afatit ligjor, kjo kërkesë do të dërgohet në Gjykatën kompetente.
“Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit është përpiluar nga Prokurorja e Shtetit ndaj tre personave të dyshuar, të përfshirë në rastin e vrasjes së rëndë dhe brenda afatit ligjor do të delegohet në gjykatë”.
Seanca fillestare ndaj të dyshuarve do të mbahet nesër në orën 09:30.
Naim Murseli u arrestua dje nën dyshimet se ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës. I njëjti dyshohet se ka inskenuar gjithë ngjarjen që të ngjajë si grabitje e armatosur me pasojë vdekjen, teksa vetë gjoja kishte arritur që të ikte bashkë me dy fëmijët, 6 dhe 4-vjeçar.
E, personi që dyshohet se shkrepi armën duke e lënë të vdekur në vend Liridonën, është Granit Plava. Plava ka pohuar se Naim Murseli e ka paguar 30 mijë euro që ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij.
Gjatë ditës së djeshme Sinjali raportoi ekskluzivisht edhe për personin e tretë të arrestuar, i cili është Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe familjar i Naimit.