Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar pas arrestimit të të dyshuarve për vrasjen e Liridona Murselit.
RRGK shpreh shqetësimin që edhe një rast i vrasjes së gruas, i cili dyshohet të jetë femicid.
Pas lajmit për arrestimin e bashkëshortit të viktimës Liridona Murselit, e vrarë më 29 nëntor në fshatin Sinidoll, afër Prishtinës, RRGK kërkon që hetimi i këtij rasti të trajtohet me urgjencë dhe qasje të drejtë për ta zbardhur këtë tragjedi.
Gjithashtu, RRGK kërkon nga institucionet që lënda të cilësohet si “Vrasje e rëndë” dhe të dënohet konform Kodit Penal të Republikës së Kosovës. RRGK- ja fton Qendrën për Punë Sociale që të angazhohet për të siguruar mirëqenien e fëmijëve.
“RRGK kërkon hetim të këtij rasti deri në provën e fundit si dhe kërkon dënim maksimal ndaj të akuzuarit. Gjithashtu, RRGK do të monitorojë reagimin institucional ndaj këtij rasti dhe ndaj të gjitha rasteve të dhunës me bazë gjinore”, thuhet në njoftimin e RRGK-së lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Murselit.
RRGK thotë se mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante.
Ndërsa, thotë se do të ofrojë ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar arrestimin e Naim Murselit dhe dorasit me inicialet G.P, të dyshuar për vrasjen e Liridona Murselit.
Sipas Prokurorisë, është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra.
Sipas urdhëresës së prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Aktualisht, të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj tyre Prokuroria do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejme ligjore.
Një shumë prej 30 mijë eurosh dyshohet se është çmimi që kushtoi për vrasjen e Liridona Murselit, gruas së Naim Murselit.
Ndryshe, më 30 nëntor, Liridona Murseli mbeti e vrarë pasi ajo bashkë me burrin e saj dhe fëmijët u bënë cak i një grabitjeje.
Vrasja u krye me armë zjarri, përderisa autorët u larguan nga vendi i krimit me shpejtësi.
Në një deklaratë të dhënë në polici, burri i të ndjerës, Naim Murseli, kishte thënë se nuk ka parë asgjë nga momenti kritik.
Murseli kishte deklaruar se kur u përballën me grabitësit, ai i mori fëmijët për t’i larguar nga vendi i ngjarjes. Përgjatë kësaj kohe, ai ka thënë se ka dëgjuar disa të shtëna, të cilat ishin fatale për bashkëshorten e tij.
Në një deklarim për media, nga Policia e Kosovës kishin konfirmuar se Liridona Murseli ishte me familjen e saj të ngushtë në kohën e kësaj tragjedie.
Viktima ishte edhe shtetase e Suedisë.