Ministria e Punëve të Brendshme ka menduar të sigurojë një ‘kafshatë buke’ edhe për disa punonjës të saj. Pos bukës, e cila nuk do të jetë ndonjë meny e begatë, ministria që drejtohet nga Xhelal Sveçla është kujdesur edhe për pak kotej e ëmbëlsira.
“Shërbime hoteliere me ushqim dhe pije – MPB”. Kështu quhet tenderi, i cili parashihet të shndërrohet në kontratë në muajin e ardhshëm nga MPB-ja. Vlera e parashikuar e kontratës për tri vite është 130,000.00 euro.
Pije të nxehta dhe të ftohta, koktej e ushqim, po kërkon të blejë ministria në këtë lëndë të prokurimit.
Bufet që shërbejnë pije edhe ushqim ekzistojnë gati në të gjitha ndërtesat publike, shkruan Demokracia.com.
Zyrtarët publikë shërbimet i paguajnë nga xhepi i tyre. Por, këtë luks të MPB-së, nuk pritet ta kenë edhe institucionet e tjera publike. Këto ushqime për një pjesë të zyrtarëve do të shërbehen në restorantet që janë brenda objekteve të poshtëshënuara.
Vendi i kryerjes së shërbimeve është:
1. Me pije dhe ushqim, në ndërtesën qendrore të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
2. Me pije, në objektin e Agjencisë së Regjistrimit Civil.
3. Me pije, në objektin e Departamentit të Prodhimit të Dokumenteve në objektin e ish Gërmisë në Prishtinë.
4. Me pije, Objekti i Agjensionit të Kosovës për Forenzikë.
Kontrata hyn në fuqi pas skadimit të kontratës ekzistuese (data e saktë do të përcaktohet me rastin e nënshkrimit të kontratës) dhe do të jetë valide 36 muaj nga data e hyrjes në fuqi.
Më poshtë mund të shihni listën e kërkesës nga MPB-ja. /Demokracia.com/