Qytetarët e Republikës së Kosovës nga janari i vitit 2023, do të obligoheshin të paguajnë për qeset plastike të cilat i marrin në dyqane gjatë blerjes. Megjithatë, vendimi i Ministrisë Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nisi të futet në fuqi në shtator të këtij viti, shkruan Gazeta Neutral.
“Nga zero deri në 25 mikron do të lejohen vetëm qeset të cilat përdoren për fruta, të cilat nuk do t’i kenë mbajtëset. Ndërsa për qeset nga 25 deri në 50 mikron do të lejohet përdorimi i tyre, do të kushtojnë pesë centë, por nuk do të lejohen që të kenë logo të prodhuesve, apo logo reklamuese”, kështu thuhet në vendimin e marrë e i cili po shpërfillet në dyqane.
Qeset plastike me logo të dyqaneve po vazhdojnë të shiten 0.05 centë dhe kjo dëshmohet nga konsumatorët të cilët për Gazeta Neutral kanë dëshmuar përmes faturës të lëshuar nga marketi “Tregu Group”.