Mungesa e tabletëve për t’u përdorur nga regjistruesit e Agjencisë së Statistikave të Kosovës nuk është arsyeja e vërtetë, e cila u përdorë nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e tij për ta shtyrë përfundimisht regjistrimin e popullsisë për në muajin prill të vitit 2024.
Të dhënat e frikshme që kryeministri Albin Kurti i ka pranuar nga vlerësimet e ASK-së për popullsinë rezidente (të pranishme) në Republikën e Kosovës, janë arsyeja kryesore që ka e shtyrë Qeverinë e Kosovës të marrë vendimin për të shtyrë regjistrimin e popullsisë, duke regjistruar kështu një nga dështimet më të mëdha të radhës së ekzekutivit kosovar.
Demokracia.com ka mësuar nga njerëz të afërt me kryeministrin Kurti dhe me procesin e regjistrimit të popullsisë se sipas të dhënave në Kosovë, vlerësimeve të ASK-së, numri i qytetarëve rezidentë ka rënë ndjeshëm, në hiç më shumë se rreth 1.4 milionë banorë, nga rreth 1.8 sa jetonin në Kosovë para ardhjes së Kurtit dhe Vetëvendosjes në pushtet.
Kjo shifër e frikshme prej rreth 400 mijë banorësh më pak, të cilët e kanë braktisur Kosovën që nga marrja e pushtetit nga Kurti dhe Vetëvendosje, është arsyeja e vërtetë e shtyrjes së regjistrimit të popullsisë.
Kryeministri Kurti, sipas të njëjtit burim, ka preferuar ta mbajë të fshehur këtë vlerësim dhe të mos i evidentojë këto të dhëna gjatë këtij viti, që të mos duken si të zhgënjyer me qeverisjen e tij, por regjistrimi të bëhet në prill dhe ikjet e rreth 400 mijë qytetarëve t’i paraqesë gjatë vitit të ardhshëm dhe t’i arsyetojë me liberalizimin e vizave, i cili pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2024.
Rreth 400 mijë banorë më pak nga rreth 1.8 milionë banorë, për një vend të vogël si Kosova shënojnë nivel të lartë pakënaqësie me Qeverinë Kurti dhe mënyrën e tij të qeverisjes.
Ikja nga përgjegjësia është bërë e zakonshme për Albin Kurtin dhe partinë e tij, Vetëvendosjen, që sot ka më shumë se 50% të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Kjo ikje e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, po manifestohet gati çdo ditë në forma të ndryshme dhe pothuajse në çdo temë me rëndësi për jetën e qytetarëve të Kosovës. /Demokracia.com/