Policia: Një grabitës u vra, katër u arrestuan një tjetër në kërkim dhe një polic i plagosur

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në lidhje me rastin e plaçkitjes së argjendarisë në Suharekë, sot është realizuar një operacion policor në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë.

Sipas policisë, gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë, duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, ku është plagosur një zyrtar policor.

“Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar. Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor”, thuhet në njoftimin e policisë.

Më tej, policia bëri të ditur se policit të plagosur i është ofruar ndihmë mjekësore në ShSKUK, ku thuhet se i njëjti është jashtë rrezikut për jetë.

“Vlen të potencohet se personat e dyshuar kanë të kaluar kriminale me dyshimet e bazuara për përfshirje në vepra penale si: vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim, armëmbajtje pa leje etj”.

“Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente”, tha policia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *