Haradinaj: Përfundimisht sot para 11 vjetësh, mora aktvendimin e pafajësisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se para 11 vitesh e ka marr aktvendimin e pafajësisë për akuzat si i dyshuar për krime lufte dhe thyerje e ligjeve dhe rregullave të luftës nga Haga.

Ai tha se për tetë vite më radhë ishte në proces gjyqësor në Hagë.

“Më 17 nëntor 2004 pata marrë ftesë për t’u paraqitur për intervistim para prokurorëve të Hagës në Prishtinë, si i dyshuar për krime lufte dhe thyerjen e ligjeve dhe rregullave të luftës, ndërkaq më 8 mars 2005 dhashë dorëheqje si Kryeministër i Kosovës.Pas marrjes së aktakuzës së parë, filloi një proces i gjatë gjyqësor. Që nga ajo ditë e deri më 29 nëntor 2012, zgjati ndjekja ligjore ndaj meje. Edhe pse në aktgjykimin e parë u lirova si i pafajshëm, gjatë shqyrtimin në shkallën e dytë u vendos për rigjykim. I gjithë ky proces gjyqësor zgjati më shumë se 8 vjet, ku përfundimisht sot para 11 vjetësh, mora aktvendimin e pafajësisë i cili vulosi pafajësinë time dhe të bashkëluftëtarëve të mi, për luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.

Ai tha se shpreson se sikurse atëherë që ishte vendimi në favor të tij, edhe tani do të vërtetohet pafajësia e të akuzuarve nga Prokuroria Speciale në Hagë.

“Edhe atë kohë kishim ndjenjën që drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, por megjithatë kur erdhi ishte lehtësim i madh, çlirim nga padrejtësitë që ndodhën gjatë procesit. Po ashtu sot besoj që do të vërtetohet pafajësia dhe pastërtia e bashkëluftëtarëve që janë duke u përballë me sfidën e radhës në Hagë. Ata shkuan si çlirimtarë atje, ashtu do të kthehen!”, ka thënë tutje ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *