Isa Boletini, lideri i krahut ushtarak të kryeministrit të Shqipërisë, Ismail Qemali, ka lindur më 15 janar 1864 në Boletin, fshat afër qytetit të Mitrovicës, atëherë nën sundimin e Perandorisë Osmane, por prejardhjen e kishte nga fshati Isniq i Deçanit, përkatësisht nga vëllazëria Maksutaj e fisit të Shalës. Ai ka qenë ushtar dhe pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878.
Ai kishte shkuar në Shqipëri midis 24 dhe 25 nëntorit të vitit 1912 dhe kjo dëshmohet nga një fotografi ku shihet duke ecur qarshisë së qytetit të Vlorës së bashku me trimat e tij kosovarë, por për arsye ende të pazbardhura nga historiografia, nuk ka arritur në aktin e shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.
Për shumë vite dhe nga goja e kinse dëshmitarëve është thënë se Isa Boletini ishte bashkëpunëtor i serbëve. Por fakti i luftës së tij kundër Armatës së Tretë Serbe në Merdarë në vitin 1912, pikërisht në kohën kur pandehej për aleat i serbëve e demanton këtë mallkim; tjetër gjë ishte fakti se ai ishte një fshatar dhe i pashkolluar.
Historiani i njohur britanik, Noel Malcolm, megjithatë ka dëshmuar se ai nuk e kishte tradhtuar kurrë lëvizjen dhe as kryengritjen shqiptare. Në gushtin e vitit 1912, atij i ishte dërguar një sasi e madhe e armatimit dhe ishte përhapur fjala se Serbia kishte paguar Isa Boletinin; por, siç do të tregonin ngjarjet, nderi i tij nuk do të blihej aq lehtë.
Më 19 janar 1916 në Podgoricë të Malit të Zi, afër Urës së Ribnicës, vritet heroi i famshëm arban. Gazeta malazeze “Pobjeda” nga Titogradi, më 26 maj 1980 e kishte botuar kronikën e atëhershme ku thuhej se ngjarja kishte ndodhur më 19 janar, ndërsa Tafil Boletini, nipi i Isa Boletinit, sipas historianit shqiptar, Skënder Luarasi, ka dëshmuar se ngjarja ka ndodhur më 23 janar.
Gjithashtu, shkrimtari dhe politikani serb në kohën e regjimit komunist në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ), Millovan Djilas, përshkruante Isa Boletinin në romanin “Besudna zemlja/Vendi i pafat”, gjithmonë nëpërmjet një doze të theksuar admirimi për figurën e luftëtarit dhe heroit të shqiptarëve.
Ai kishte sjellur një dëshmi të babait të tij, Nikolla Djilas, njeriu që thuhet se e kishte vrarë me dorën e vet kryengritësin shqiptar. Falë talentit si shkrimtar, atij i ra fati ta përshkruante vrasjen e tij. “Vendi i pafat” ose “Toka pa drejtësi” ishte botuar në anglisht në Nju Jork në vitin 1956 dhe kritika letrare amerikane e cilësoi librin si një nga veprat më të mira të botës komuniste.
“Lufta me burrat e Bashibozukut të Isës nuk zgjati shumë, me gjithë guximin e egër që kishin shfaqur arbanasit. Por, ai luftoi me këmbëngulje dhe për një kohë të gjatë, kur kishte mbetur vetëm, në rrugën e zhveshur. I plagosur, ai u ngrit në gjunjë dhe ndonëse tashmë ishte shumë i dobët për të mbajtur pushkën, ai qëlloi nga pistoleta, për ta mbrojtur të paktën veten”.
“Babai u vërsul drejt tij dhe arbanasi i egër mbështeti armën në dorën e majtë. Por ai nuk pati kohë të gjuante, tashmë ishte në shënjestër të një sulmuesi krahu dhe u rrëzua. Babai erdhi me vrap. Isa e shikoi me sytë e mëdhenj e të përgjakur, tha diçka në gjuhën e tij që i ati nuk e kuptonte dhe dha frymën e fundit”, shkrunte Djilas në librin tij.
Se sa rëndësi ka pasur për serbët dhe malazezët vrasja e Boletinit e tregon edhe një trofe që ndodhet ende në shtëpinë e familjes Djilas në Beograd. Vrasësi i heroit shqiptar e kishte marrë pistoletën e tij të tipit “Mauser”, duke e mbajtur si një kujtim të dashur.
“Nuk është e çuditshme që ne fëmijëve na erdhi keq për Isa Boletinin. E vajtoi edhe babai, megjithëse ishte krenar që ishte ai që e ekzekutoi midis një pikëllimt të veçantë, që ishte më shumë admirim për heroin e patrembur të Arbanisë së Egër që lufton i vetëm deri në fund, në një fushë të shkretë dhe në një fushë të zbrazët”.
“Dhe në zinë tonë kishte vetëm admirim. Më shumë se çdo gjë tjetër. Kur të vdesësh është bukur të biesh si Isa i Buletinit. Mbetet një kujtim, të paktën për ata që panë dhe dëgjuan. Shumë më vonë, ne i thamë babait, duke e ngacmuar se kishim lexuar se Isa Boletini vdiq në Shkodër pikërisht tash”.
Isa Boletini u varros dy dytë pas vrasjes në Podgoricë, në një ceremoni ku morrën pjesë një numër i madh njerëzish. Në vitin 1973, u bë kërkesa e parë për kthimin e eshtrave në vendlindje. Falë përpjekjeve të familjarëve dhe studiuesëve varri u zbulua dhe më 15 nëntor të vitit 1979 u krye zhvarrimi.
Ndërkohë, pas 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, nisi procesi i verifikimit të eshtrave për të kryer një ceremoni zyrtare varrimi. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Strasburgut, në janar të vitit 2014, konfimoi se eshtrat e dërguara për ekzaminim ishin të Isa Boletinit. Më 10 qershor 2015, Isa Boletini u varros në oborrin e kullës së tij në Buletin të Mitrovicës.