Nëntë vjeçari nga Prishtina Rron Migjen Fazliu është shpallur kampion i Kosovës në kategorinë e tij në garat Ndërkombëtare të Brainobrain të cilat janë mbajtur në Dubai, ku kanë marrë pjesë rreth 2000 fëmijë nga 42 shtete të botës.
Rroni i cili është nxënës i klasës së tretë të shkollës “Meto Bajraktari” në Prishtinë me zgjuarsinë e tij ka zbardhur fytyrën Kosovës në një garë Ndërkombëtarë siç është kjo.
Falë talentit të tij ai ka arritur të marrë vendin e parë në një garë ku pjesëmarrës ishin rreth 2000 fëmijë nga 42 shtete të botës.
“Kjo për mua është një e arritur e madhe. Së pari jam krenar që kam përfaqësuar Republikën e Kosovës në një garë shumë të rëndësishme siç është kjo dhe së dyti jam shumë i lumtur që në kategorinë time kam arritur ta rrëmbejnë vendin e parë. Ketë fitore ia dedikoj familjes, trajnerëve të mi të Brainobrain Shkollës Meto Bajraktari, dhe gjithë vendit” ka thënë shumë i emocionuar Rroni.
Ai më tutje ka treguar se shpërblimi me vendin e parë në këtë garë atij i ka hapur rrugë për të marrë pjesë edhe nëpër gara tjera ndërkombëtare gjithmonë duke përfaqësuar shtetin e Kosovës.
Edhe në njoftimin e publikuar në rrjetin social Facebook Brainobrain Kosovë ka njoftuar se Akademia Botërore- Brainobrain Kosova ka përfaqësuar shtetin e Kosovës me 28 fëmijë në Garat Ndërkombëtare të Brainobrain International në Aritmetikën Mentale të mbajtura në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, me datën 25.11.2023 dhe ka arritur këto rezultate: 18 kampionë (vende të para), 7 medale të arta (vende të dyta) dhe 3 medale të argjendta (vende të treta). Në këtë garë morën pjesë fëmijë të 42 shteteve nga e tërë bota me rreth 2000 fëmijë, dhe fëmijët garuan në kategori të ndryshme të klasifikuara ne bazë të moshës dhe nivelit.