Një fenomen mjaft shqetësues që po shkakton ankth e pasiguri për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, banesa, institucione e madje duke shkuar kryesit e kësaj vepre edhe deri te vjedhja në objekte fetare, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur në xhaminë e fshatit Begaj në Vushtrri, ku disa të mitur kanë arritur të thyejnë disa arka të bamirësisë dhe të vjedhin para.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi imami i xhamisë e ka denoncuar rastin në Polici, me ç’rast ka raportuar se katër persona kanë “avulluar” dhjetëra euro.
Si rezultat i raportimit, Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë marrë pamjet e kamerave të sigurisë që çuan në identifikimin e të dyshuarve.
Katër të miturit që kanë kryer vjedhjen janë kapur dhe janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit policorë.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tyre rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’.