Osmani e Konjufca bëjnë homazhe në Prekaz

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në shënimin e ditëlindjes së heroit legjendar, Adem Jashari kanë bërë homazhe pranë varrit të tij dhe të të familjarëve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Së bashku me presidenten Osmani dhe kryeparlamentarin Konjufca, për homazhe në Prekaz është e pranishme edhe një pjesë e kabinetit qeveritar.

Presidentja Osmani do të bëjë homazhe edhe në fshatin Boletin, tek varri i heroit Isa Boletini.

Osmani teksa përkujton Adem Jasharin si një figurë historike dhe një hero kombëtar, ka theksuar rëndësinë e datës së 28 nëntorit për Kosovën, duke e lidhur atë me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ditëlindjen e Adem Jasharit.

“Sot e fillojmë këtë ditë historike duke e nderuar një figurë dhe një familje po aq historike sa edhe vet flamuri kuq e zi, familjen Jashari. Njëkohësisht duke shënuar ditëlindjen e komandantit legjendar dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare. Është pikërisht flamuri kuq e zi dhe dita 28 nëntor që është ditë që na kujton secilit prej nesh çmimin lartë për të lirisë por njëkohësisht edhe sakrificat që janë bërë për shekuj në mënyrë që të gjithë të jetojmë të lirë”, ka deklaruar Osmani para mediave në Prekaz.

Nga ana tjetër, Konjufca ka shprehur nderimet për familjen Jashari dhe ka theksuar rëndësinë e vendit ku ndodhet kompleksi memorial në Prekaz.

Ai gjithashtu ka përmendur datën e 28 nëntorit si një ditë historike për popullin e Kosovës duke i lavdëruar sakrificat e dëshmorëve për liri.

“28 nëntori në Kosovë gjithmonë fillon në Prekaz këtu ku ka ndodhur sakrifica më e lartë E POPULLIT TË Kosovës për liri dhe këtu ku është ngjizur lufta e lavdishme e UCK-së. Po ashtu kjo datë është dalja publike e UÇK-së e po ashtu është ditëlindja e heroit Adem Jashari. Nënorët do të festohen gjithmonë uroj që neve të na gjejnë gjithmonë më të bashkuar e gjithnjë më të fortë. Lavdi dëshmoreve dhe urime dita e flamurit gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë ata”, ka deklaruar Konjufca para mediave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *