Nënkryetari i Sindikatës së Pavarur të Minierës së Trepçës, Destan Kërleshi, tha se marrëveshja e arritur si rezultat i grevës nuk po respektohet.
“Është duke u shkelur nga bordi dhe deputetët të cilët e negociuan këtë marrëveshje, nuk po realizohet asnjëra nga pikat e arritura gjatë diskutimit dhe grevës së fundit”, tha ai.
“Një pjesë e pagës ende nuk ka dalë, aty kanë qenë tri kërkesa kryesore siç dihen dhe janë publike. Kërkesa numër një, ka qenë dalja e pagës me kohë në çdo muaj pasues nga gjashtë deri në dhjetë, ku janë pajtuar edhe deputetët edhe bordi se kjo kërkesë do të realizohet por kjo nuk është realizuar”, shtoi Kërleshi.
“Ndërsa pika e dytë ka qenë shkarkimi i menaxhmentit, ku për shkak të menaxhimit të dobët kemi ardhur deri te kjo pikë, dhe për këtë kemi gjetur një mirëkuptim që ata ta shpallin një konkurs dhe t’i zhvillojnë procedurat në bazë të ligjit që është në fuqi”.
Tutje ai deklaroi se pika e tretë ka qenë sigurimi shëndetësor dhe përmirësimi i kushteve, ndërsa shtoi se nga data 15 deri më tani nuk kanë sigurim shëndetësor, në rast të aksidenteve.
Kërleshi tha se shpreson se nuk do të përsëritet greva nga minatorët, por theksoi se kjo mund të ndodh nëse nuk plotësohen kërkesat.