Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në mbledhjen e 11-të i ka shqiptuar “Klan Kosovës” gjobë prej 5 mijë euro, pasi ka gjetur se është transmetuar gjuhë vulgare dhe ofenduese para kufizmit të kohës në emisionin “Big Brother Kosova”.
Këtë gjobë KPM e ka shqiptuar pas shqyrtimit të rekomandimit të Zyrës Ekzekutive në lidhje me ankesat e pranuara
Për njërën ankesën, Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti tha se është pretenduar se janë shfaqur inserte ku ka fjalosje e agresivitet nga dy pjesëtarë të kësaj shtëpie.
Ndërsa, për këtë rast, Mehmeti tha se “Klan Kosova” ka njoftuar se ka ndërmarrë veprime duke ftuar secilin banor veç e veç në dhomën e rrëfimeve për t’ia tërhequr vërejtjen që të njëjtit të kenë kujdes të shtuar të fjalorit.
Mirëpo, sipas Mehmetit, Zyra Ekzekutive në raportin e monitorimit ka gjetur se “Klan Kosova” gjatë transmetimit të këtij emisioni, në orën 18:51, gjatë një debati mes banorëve është përdorur gjuhë vulgare dhe ofenduese.
Duke shtuar se ka të bëjë përkatësisht me shprehjen “shtallë lope”.
Tutje, Mehmeti tha se në sqarimin e pranuar nga ana e “Klan Kosova”, është thënë se produksioni dhe transmetuesi në vazhdimësi kanë ndërmarrë masat e duhura serioze dhe preventive që të mos përsëriten shprehje dhe komunikime të papërshtatshme dhe ofenduese në mes të banorëve.
Sipas Mehmetit, në këtë sqarim ishte thënë edhe se si dëshmi më e mirë e kësaj është edhe përjashtimi automatik i njërit prej banorëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, në një ankesë tjetër, Mehmeti tha se është pretenduar se gjatë transmetimit janë shfaqur shprehje si “e keqe sa t’dush”, “budallicë”, “katunare”.
Në lidhje me këto, Mehmeti ndër të tjera tha se në ankesë thuhet “ku me këto sjellje primitive po na i edukojnë fëmijët e gjeneratat e reja shumë keq”.