Për nga diagnostifikimi i të metave dhe dëmeve në procesin e dialogut të udhëhequr nga Qeveria e Kosovë është treguar analizues dhe shtjellues esëll dhe i sakt, por Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ende s’ka arritur të elaborojë një “kurë” ndaj asaj që pushteti i Albin Kurtit i solli vendit me marrëveshjen dy-gjermanëshe me Serbinë; ose se çfarë substituti korrigjues ndaj këtij procesi do të jetë në eventualitetin e ardhjes së tij si kryeministër.
Megjithëkëtë, vlen të vështrojmë leximin e tij ndaj procesit, për çka hiç më larg se dje në “Debat Plus” dha një tablo tejet të interesante – e të padëgjuar në ato hollësi – prej gjenealogjikës së pranimit të Marrëveshjes Bazike nga Kurti të qendërzuar në autonomi territoriale për serbët e Kosovës dhe në atë që rëndom e gjithherë interpretohet për “njohje de facto”, e çka për Abdixhikun, përkthehet thjesht në “njohje pasaportash”.
Ta kontekstualizojmë pak…
Në fillim të marsit të këtij viti gjatë një seancë në Kuvendin e Kosovës – porsa ishte pranuar marrëveshja dy-gjermanëshe me Serbinë – Lumir Abdixhiku e kishte mposhtur Albin Kurtin jo në betejë politike por në një betejë anglisht-anglisht; atë rreth termeve të përdorur në Marrëveshjen Bazike.
Kurti, nëse edhe për gjithçka mund të akuzohet, s’mund të akuzohet për mosnjohje të anglishtes – por, ishte në pozicion defansiv, teksa ofanziven e bënte nga avantazhi i “ambiguitetit konstruktiv” për ta përdredhur kuptimin dhe semantikën në favor të vet për marrëveshjen tejet të pafavorshme që i duhej shitur si “të shkëlqyeshme“.
Për se është fjala? Kurti ua kishte mbajtur fshehur opozitës “Preambulën” e marrëveshjes ku Kosova, për herë të parë në historinë e saj shtetërore, kishte vendosur “të mos ia paragjykonte Statusin” vetes; gjë që për shumëkënd, ishte e pamendueshme se si po u bëka Kosova të pranojë marrëveshje të ndërtuar mbi këto premisa; në një dialog që kryepremisë ka qenë njohja.
“Mendojeni pak këtë. Me një formulim të vetëm, ky kryeministër barazon mosnjohjen e Serbisë me vetë aktin e shpalljes së Pavarësinë e Kosovës”, elaboronte Abdixhiku nga foltorja.
Për ta bazuar argumentimin e tij, Abdixhiku i referohej së paku edhe “fusnotës” e cila së paku në vete përmban opinionin konfirmues të GJND-së rreth legalitetit dhe pajtueshmërisë me të drejtën ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës. “A e kuptoni kryeministër dëmin që i keni bërë vendit”, i drejtohet Abdixhiku, Kurtit.
Por, përtej këtij debati, parlamentar, ku Kurti kishte nxjerr – dhe atë përdredhshëm – një fjalë të gjatë e trullosëse gjermane që ia bënte spin-in për gjoja referencë origjnale në pjesën e Preambulës për “overcome the legacy of the past” si “𝐕𝐞𝐫𝐠𝐚𝐧𝐠𝐞𝐧𝐡𝐞𝐢𝐭𝐬𝐛𝐞𝐰𝐥𝐭𝐢𝐠𝐮𝐧𝐠” – koncept ky “denacifikimi” pas Luftës së Dytë Botërore në Gjermani, e që është i barazvlefshëm me njëfarë katarsisi ose shpërlarje të plotë të një shoqërie bartëse të një politike, le të themi, si ajo e Adolf Hitler-it; e që në këtë rast, siç e pështillte Kurti, do t’i aplikohej Serbisë post-Sllobodan Millosheviq në raport me krimet e kryera në Kosovë.
Për këtë temë shkrim i preferueshëm për të lexuar është “Albin Kurti ist ein Betrüger” nga gazetari Lirim Mehmetaj; ku shterrohet në tërësi logjika e Kurtit në këto pretendime grandioze.
Të kthehemi te Abdixhiku sot, dhe disa hollësi të dhëna të reja për Kurtin para Marrëveshjes.
Mbrëmë në “Debat Plus” Abdixhiku i qëndroi kësaj esëllie kundrejt dehjes retorike të-dhe-nga pushteti. Tregoi për takimin konsultativ për marrëveshjen gjermano-gjermane që do të vinte; e që Abdixhiku, sipas tij, e kishte ditur që do të vinte.
Preambulën, siç e dimë, Kurti ua kishte fshehur edhe në ato takime – por Neni 7 ishte aty: Vetëmenaxhimi dhe formalizimi i Kishës Serbe.
Kurti, në përpjekjet e tij thuajse metafizike kishte bërë ç’mos që fjala Asociacion të mos jetë aty (ndonëse ishte në Nenin 10) dhe e kishte nxjerrë një (në mendjen e tij) eufemizëm: Instrument vetëmenaxhues për komunitetin serb. Por, ky s’ishte eufemizën, por epifani për autonomi.
E këtu Abdixhiku i kishte rrudhur vetullat kur e kishte parë, dhe e kishte pyetur: çfarë?
LDK e kishte parë që Kurtit i ishin ngatërruar kartat – karta evropiane për të drejtat minoritare dhe ajo për vetëqeverisjen lokale.
“Në paraqitjen e parë na thoshte vetëmenaxhimi sipas Kartës Evropiane për të Drejtat Minoritare”, shpjegoi ai në “Debat Plus”.
E këtu, pastaj, siç tregon ai, ndërhyu Arben Gashi i LDK-së, si njohës i qeverisjes lokale dhe kartës evropiane për vetëqeverisje lokale.
“Në atë moment Arben Gashi… i tha ‘e ke gabim, nuk bëhet fjalë për këtë kartë evropiane, por për kartën evropiane për vetëqeverisje lokale’”
E këtu, sipas Abdixhikut, Kurti e humbi trakën mbi atë se çfarë kishte pranuar dhe iu kthye asaj që i kthehen të gjithë njerëzit kur s’dinë diçka – makinerive kërkimore në internet: Google-s, si p.sh.
“Në atë moment Kryeministri ishte i humbur, nxorri telefonin për të bërë Google Search se për çfarë bëhet fjalë”, tha Abdixhiku.
Kreu i LDK-së tha se “u habitëm se sa pak dije ka”; por, se çka është ajo – vetëmenaxhimi – ai shton se Kurti sot e ka të qartë: i zbërthehet, amplifikohet dhe augmentohet në Draft-Statutin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.