Pesë nga të lënduarit nga shpërthimi i granatës së dorës në tregun e kafshëve në Prizren, janë transferuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Shefi i Emergjencës në Spitalin e Prizrenit, Hekuran Veçgishti, ka konfirmuar për Telegrafin se katër të tjerët janë liruar për në shtëpi.
“Pesë janë transferuar për në QKUK, katër të tjerët janë liruar për në shtëpi. Gjendja e tyre ka qenë stabile, kanë pasur lëndime në ekstremitete. Ndërsa, të tjerët kanë lëndime në gjoks, qafë dhe ekstremitete për atë janë dërguar në QKUK”, ka thënë Veçgishti.
Ndërkaq, shefi i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, ka deklaruar për Telegrafin se deri tani kanë arritur dy pacientë në këtë klinikë dhe se gjendja e tyre shëndetësore është stabile.
“Dy pacientë deri tani kanë arritur në Emergjencë, kanë lëndime joserioze dhe gjendja e tyre është stabile”, ka thënë Syla.
Ndryshe, nëntë persona kanë pësuar lëndime këtë të mërkurë, për shkak të shpërthimit të një granate dore në tregun e kafshëve në Prizren.