Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur sot për draft statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili u propozua së fundi nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton Gazeta Sinjali.
Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se është kërkesë e emisarëve ndërkombëtarë që të mos bëhen publike komentet në lidhje me këtë draft-statut.
Osmani theksoi se shumë prej parimeve të vitit 2015 nuk janë të pranishme në draft statutin euroamerikan.
“Në vitin 2015 ka pasur një dokument parimesh, i cili është dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Shumë prej atyre parimeve të vitit 2015 janë shpallur kundër kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Dhe parime të tilla, shumë prej tyre nuk janë tani në draftin aktual. Janë dy-tri gjëra të cilat krijojnë dykuptimësi dhe natyrisht që ato duhet të adresohen, qoftë para se të shkojë drafti në Gjykatë Kushtetuese, qoftë nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Por patjetër duhet të sqarohen përfundimisht në mënyrë që të mos lejohen ashtu si janë të hyjnë në fuqi, sepse mund të krijojnë probleme në praktikë”, përfundoi presidentja Osmani.