Tifogrupi “Plisat” nuk do të jenë të pranishëm sonte në ndeshjen e fundit që Shqipëria e zhvillon në fazën grupore të ciklit kualifikues për EURO 2024, ndaj Ishujve Farore në “Air Albania”, raporton Gazeta Sinjali Sporti.
Këtë e ka konfirmuar edhe vetë tifogrupi në fjalë, i cili doli me një reagim pas raportimeve të ndryshme për arsyet e këtij zhvillimi.
Në reagimin e tyre përshkruhet përkrahja që ky tifogrup ka bërë ndër vite për kombëtaren, teksa potencojnë se e njëjta do të vazhdojë si “në festa- edhe në ditë të vështira”.
Kur të gjithë ia kthyen shpinën kombëtares, ne ishim aty! Këta të njejtit, të pandalshmit, të pashantazhueshmit, të vetmit, “kriminelat”, “tradhëtarët”… ne do të jemi gjithmonë aty. Pavarësisht ndërhyrjeve të politikës, e të kujtdo, do të jemi përherë e më të fortë”, thuhet ndër tjera.
Reagimi i plotë:
Plisat edhe një herë lajm. Nuk ka bileta.
Por, sot nuk kemi kohë për lajmet tuaja. Plisat e kanë perfunduar misionin e tyre, ME SUKSES.
Kur të gjithë ia kthyen shpinën kombëtares, ne ishim aty! Këta të njejtit, të pandalshmit, të pashantazhueshmit, të vetmit, “kriminelat”, “tradhëtarët”… ne do të jemi gjithmonë aty. Pavarësisht ndërhyrjeve të politikës, e të kujtdo, do të jemi përherë e më të fortë.
Nuk ka bileta – nuk ka problem. Le të shkojnë sonte të tjerët për festë. Në fund të fundit Kombëtarja është e të gjithëve.
Ne do të kthehemi përsëri, edhe në festa – edhe në ditë të vështira.
Plisat janë në festë. Prishtina sonte feston. Feston sepse ajo frymon KUQ E ZI. Sepse KU KA PLISA OSHT’ SHQIPNI.
Shihemi në Gjermani!