Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare e gjykimit të parë në mungesë për krime lufte, ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq. Ai akuzohet për krime lufte të kryera gjatë periudhës janar-maj të vitit 1999 në Kosovë.
Në seancën e drejtuar nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, si mbrojtës i Aksiqit është paraqitur Zharko Gajiq.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, i akuzuari, në periudhën kohore janar-maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal, të organizuar, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka kryer veprën penale ‘Krim i luftës kundër popullsisë civile.”
Prokurorja Habibe Salihu tha se kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore me qëllim që të sigurohet prania e të akuzuarit, por kjo nuk është arritur.
Sipas aktakuzës, Aksiq është i lindur në Shtime, por adresa e tij aktuale është në Serbi. Aktakuza ndaj Çedomir Aksiqit, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ishte ngritur më 4 maj të këtij viti.
Ky është rasti i parë i gjykimit në mungesë, me të cilin përballet gjykata në Prishtinë dhe lejohet me Kodin e ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.