Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia ka dislokuar sisteme kundërajrore në afërsi të kufirit me Kosovën, duke paralajmëruar se në Rashkë po bëhet riorganizim paramilitar i Milan Radojçiqit. Ai ka shkruar në Facebook të dielën se ky riorganizim po bëhet me instruksione dhe mbështetje të shtetit serb.
Kurti ka thënë se më 10 nëntor, Radojçiq është takuar me 40 politikanë serbë, ku sipas tij, është kërkuar mobilizim për të votuar partinë SNS.
“Aty është kërkuar mobilizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS, në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Ata që janë në listë të rrogave janë kushtëzuar me to, ndërkaq për të tjerë janë ofruar vende pune në periudhë 3 dhe 6 mujore. Millan Radoiçiq, pas sulmit terrorist të kryer në veri, u lirua brenda ditës që të vazhdonte veprimtarinë e tij paramilitare e terroriste në shërbim të politikës shtetërore të Serbisë kundër Kosovës. U bënë pesë muaj pas rrëmbimit në Leposaviq të policëve tanë kufitar Rifat Zeka, Beqir Sefa e Shemë Mustafa dhe tetë javë nga vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku”, ka shkruar kryeministri Kurti.