Për 10 muaj, Osmani shpenzoi nga buxheti i shtetit rreth 33 mijë euro, ja arsyeja

Hiq më pak se 32,699.49 euro i kanë kushtuar buxhetit të shtetit shpenzimet e presidentes Vjosa Osmani vetëm për bileta të aeroplanit, për akomodim dhe karburant për vetura.

Këto shpenzime kapin periudhën nga janari e deri më 20 tetor të këtij viti, shkruan Front Online.
Shpenzimet janë siguruar pas kërkesës për qasje në dokumente publike në zyrën e Presidentes.

Ku ka shpenzuar më shumë e ku më pak presidentja Osmani?

Shpenzimet më të mëdha nga presidentja Osmani gjatë kësaj periudhe janë bërë për akomodim gjatë udhëtimeve jashtë vendit.

Vetëm për akomodim presidentja Osmani ka shpenzuar 14,241.72 euro.

Ndërsa, 12,503.64 euro e para e shtetit ka shpenzuar për avio-bileta.

Kurse, për karburant për vetura gjatë periudhës janar-20 tetor 2023 janë shpenzuar gjithsej 5,954.13 euro.

TABELA E SHPENZIMEVE

Më 10 e 11 tetor presidentja Osmani ishte për vizitë zyrtare në Kroaci.

Ajo atje u takua me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviç.

Përpos tij, Osmani pati takim edhe me kryeparlamentarin dhe kryeministrin e Kroacisë.

Më 5 tetor presidentja Osmani mori pjesë në Samitin e tretë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Granada, Spanjë.

Më 17 shtator për disa ditë presidentja Osmani qëndroi për vizitë zyrtare në New York.

Presidentja Vjosa Osmani gjatë periudhës janar-tetor pati edhe vizita të tjera zyrtare jashtë vendit.

Sa para u shpenzuan për dreka e darka zyrtare nga kabineti i Presidentes nga janari deri më 20 tetor të këtij viti?

Rreth 7 mijë euro ka shpenzuar kabineti i Presidentes për dreka e darka zyrtare nga janari e deri më 20 tetor të këtij viti.

Nga zyra e presidentes kanë thënë për Front Online se drekat dhe darkat zyrtare janë të institucionit dhe se presidentja nuk ka shpenzime vetëm të sajat.

“Presidentja nuk ka shpenzime vetëm të sajat për dreka dhe darka zyrtare, sepse të gjitha drekat dhe darkat janë të institucionit(e jo shpenzime individuale)- pra, marrin pjesë një numër i zyrtarëve institucional, anëtarë të kabinetit dhe të ftuar të shteteve të tjera. Prandaj, shuma totale e shpenzuar për dreka dhe darka zyrtare nga kabineti i Presidentes është si vijon: 6,851.20 euro”, thuhet në përgjigjen e presidentes./Front Online

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *