Rastet e ngacmimeve seksuale në hapësira të ndryshme publike në Kosovë nuk janë të rralla. Në shumicën prej këtyre rasteve viktima janë vajzat e moshave të reja, të cilat keqpërdoren seksualisht nga burrat që shpesh del të jenë edhe të moshuar.
Për një rast të tillë që ka ndodhur në njërin nga restorantet e njohura në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, kanë nisur së fundmi hetimet.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ngjarja ka ndodhur në tualetet e lokalit ‘Gizzi Grill’ dhe viktimë kësaj here është një 22-vjeçar, shtetase e huaj.
Kush dhe si e ngacmoi seksualisht?
Rasti që ndodhi në orët e para të mëngjesit alarmoi stafin e restorantit dhe Policinë që u njoftua se një vajzë po ngacmohej seksualisht nga një burrë. E reja, e cila është suedeze, dyshohet se u ngacmua në tualetin e lokalit nga një person, i cili ia zuri pritën posa ajo shkoi aty dhe i doli përpara i zhveshur.
Përveç që e tmerroi me veprimet e tij, i dyshuari, që sipas dëshmisë së viktimës të dhënë para hetuesve ishte një burrë i shkurtër me trup dhe me mjekër, ai ia largoi stolitë që i kishte në qafë dhe nisi ta prek nëpër pjesët e trupit. Situata që e përjetoi shtetasja e huaj eskaloi edhe më shumë, kur në tualet hyri edhe një person tjetër, që ia shtoi dyshimet asaj se edhe ai mund të vepronte njëjtë.
Burimet thonë se atë e shpëtoi shoqja e saj, me të cilën ishte në këtë restorant, e cila e shqetësuar shkoi në tualet për ta parë gjendjen e 22-vjeçares. Aty dyshohet se intervenoi edhe menaxheri i restorantit.
Sipas informatave të para, i dyshuari ende nuk është identifikuar nga Policia, ndërkohë që janë intervistuar viktima dhe mikja e saj, si dhe menaxheri i këtij lokali.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të nisin hetimet në drejtim të veprës penale “ngacmim seksual” dhe të sigurohet prezenca e të dyshuarit, posa të bëhet i ditur identiteti i tij.