Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se në rajon ka tentativa destabilizuese që regjisorin e kanë në Rusi e aktorët janë të vetë rajonit.
“Rajoni ynë po përballet me tentativa destabilizuese, që me shumë gjasë, regjisorin e kanë në Rusi, por akterët kryesorë janë nga vetë regjioni. Kosova është përballur disa herë këtë vit, edhe në muajt maj dhe qershor, e së fundmi me 24 shtator, me skenarë që kanë vetëm një qëllim, destabilizimin, e atë jo vetëm të Kosovës por edhe të gjithë rajonit”, tha sot Bislimi.
Deklarata e tij vjen pas asaj të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që tha se Rusia po bën përpjekje për të nisur një luftë në Ballkan. Edhe BE sot ka konfirmuar se e ndajnë shqetësimin e njëjtë se Rusia dëshiron destabilizim në rajon.
Bislimi tha se po operojnë në një ambient ku aleancat kanë rëndësi dhe dinamikat globale e formësojnë realitetin.
“Andaj, pozita e Kosovës në rajon nuk ndërlidhet vetëm me interesin kombëtar, por dhe me kontributin që ne mund të japim për paqen, sigurinë dhe zhvillimin e gjithë Ballkanit Perëndimor. Nga ne kërkohet të angazhohemi me komunitetin ndërkombëtar me një vizion të qartë, duke kërkuar partneritete që përputhen me vlerat tona dhe i kontribuojnë interesave tona strategjike, ndërsa në të njëjtën kohë, duhet të kujdesemi që edhe reformat e brendshme ta shoqërojnë këtë dinamikë”.
Zëvendëskryeministri Bislimi i bëri këto deklarata në tryezën ndërparlamentare të organizuar nga Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, ku u mirëpritën Komisionet për Punë të Jashtme dhe Integrim Evropian të Kuvendeve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë dhe Bullgarisë.
Kjo është fjala e plotë e tij:
Takimi i sotëm i përbashkët është dëshmi e fuqishme e bashkëpunimit të nevojshëm mes shteteve tona, bazuar në demokraci e siguri, në orientimin e vlerave evropiane e perëndimore. Bashkimi Evropian e vlerat demokratike janë orientimi jonë strategjik, andaj, Integrimi Evropian nuk është qëllim më vete. Ai është një rrugëtim transformues për ne, që nënkupton angazhimin tonë rreth vlerave të përbashkëta, të demokracisë dhe një të ardhmeje prosperuese për të gjithë qytetarët tanë.
Angazhimi ynë për përmbushjen e kritereve që na janë vendosur nga Bashkimi Evropian, është i palëkundur. Ne duhet t’i shohim këto kritere jo domosdoshmërisht si pengesa, por si udhërrëfyes për një rajon më demokratik, më të qëndrueshëm, më transparent e gjithsesi më të zhvilluar. Zgjerimi i BE-së nuk është thjesht zgjerim gjeografik, por arritja me nxitjen e një komuniteti të lidhur nga vlerat e përbashkëta dhe një vizion të përbashkët rreth të ardhmes sonë.
Për aq kohë sa jemi në këtë rrugë, është me rëndësi të njohim sfidat dhe mundësitë që e njëjta paraqet për ne. Anëtarësimi në BE kërkon jo vetëm arritje të standardeve evropiane, por edhe përqafim të mirëfilltë të parimeve demokratike, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Kosova tashmë 7 vite ka marrëveshje formale me BE-në dhe zbaton MSA-në përmes planeve vjetore, përderisa Agjenda e Reformave Evropiane është prioritet i yni në shumë fusha: qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, konkurrueshmëria, klima e investimeve dhe qëndrueshmëria, punësimi, arsimi dhe shëndetësia. Tërë kapacitetet tona administrative janë vënë në shërbim të koordinimit dhe zbatimit të këtyre reformave dhe angazhimeve të cilat dalin prej mekanizmave në zbatimin e MSA-së. Në këtë kontekst, rrugëtimi ynë drejt Bashkimit Evropian është një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë sonë për t’iu bashkuar BE-së.
Konteksti gjeopolitik në të cilin ndodhet Kosova, kërkon pozicionim strategjik. Rajoni ynë po përballet me tentativa destabilizuese, që me shumë gjasë, regjisorin e kanë në Rusi, por akterët kryesorë janë nga vetë regjioni. Kosova është përballur disa herë këtë vit, edhe në muajt maj dhe qershor, e së fundmi me 24 shtator, me skenarë që kanë vetëm një qëllim, destabilizimin e atë jo vetëm të Kosovës por edhe të gjithë rajonit.
Ne operojmë në një ambient, ku aleancat kanë rëndësi dhe dinamikat globale e formësojnë realitetin. Andaj, pozita e Kosovës në rajon nuk ndërlidhet vetëm me interesin kombëtar, por dhe me kontributin që ne mund të japim për paqen, sigurinë dhe zhvillimin e gjithë Ballkanit Perëndimor. Nga ne kërkohet të angazhohemi me komunitetin ndërkombëtar me një vizion të qartë, duke kërkuar partneritete që përputhen me vlerat tona dhe i kontribuojnë interesave tona strategjike, ndërsa në të njëjtën kohë, duhet të kujdesemi që edhe reformat e brendshme ta shoqërojnë këtë dinamikë.
Në arritjen e standardeve evropiane, jemi të gatshëm të adresojmë të gjitha sfidat si strukturore ashtu dhe sistemore. Angazhimi ynë për reforma është i panegociueshëm, është premtim që ia kemi bërë qytetarëve tanë për një qeveri efikase dhe të përgjegjshme, një gjyqësor të fortë dhe një mjedis të favorshëm për aktivitet ekonomik. Raporti i vendit për këtë vit, mes tjerash, njeh edhe progresin e arritur në rritjen ekonomike, konkurrueshmëri, ulje të shkallës së papunësisë, rritje të investimeve të huaja direkte dhe atë për 88% në baza vjetore, ulje të borxhit publik, progres në menaxhimin e projekteve publike, rritje e eksportit dhe shkallës së hapjes së ekonomisë, përmirësim i mjedisit biznesor, transformim digjital të ekonomisë, si dhe progres të dukshëm në fushën e energjisë.
Për më shumë, në segmentin e kritereve politike, kemi arritur reforma në sistemin elektoral, në mbarëvajtje të Kuvendit, punës së Kuvendit, në administratë publike, në luftën kundër korrupsionit, në sistem të drejtësisë, në prokurori, në mbrojtje të privatësisë, si dhe në agjendën e barazisë gjinore. Shoqëria civile është ndër më aktivet në rajon dhe merr pjesë aktive në hartimin, monitorimin dhe zbatimin e politikave publike.
Jemi të përkushtuar edhe më shumë, kur është fjala për bashkëpunimin regjional, sepse këtë e shohim si shtyllë kyçe për stabilitet dhe prosperitet të të gjithë rajonit. Në një kohë ku ndërlidhja është gjithnjë e më në rritje, izolimi nuk është opsion. Duke kapërcyer kolektivisht sfidat që tejkalojnë kufijtë kombëtarë, ne mund të hapim rrugën për një rajon ballkanik sa më të integruar. Ne si institucione kemi përgjegjësinë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët, andaj edhe kemi marrë pjesë në pothuaj të gjitha nismat rajonale. Nënshkrimi i tri marrëveshjeve vitin e kaluar në kuadër të Procesit të Berlinit, përbën faktin e rëndësishëm që Kosova është vendi i parë që i ka ratifikuar të njëjtat dhe tregon përkushtimin tonë për bashkëpunim rajonal.
Pakoja e zgjerimit e publikuar javën e kaluar, kthen një shpresë se zgjerimi i BE-së është përsëri në qendër të vëmendjes pas një dekade heshtje e stagnimi. Ne mbështesim “Planin e Rritjes” për Ballkanin Perëndimor, meqë e shohim si hap të duhur në drejtimin e duhur. BE-ja duhet të reformohet dhe të zgjerohet. Unë po ashtu besoj se përfitimet nga Tregu Unik i BE-së duhet të lidhen edhe me reformat ekonomike dhe demokratike. Nuk duhet të ketë përfitues të fondeve të BE-së pa i përqafuar vlerat e BE-së. Së bashku, duhet të vazhdojmë të punojmë drejt rritjes së qëndrueshmërisë së rajonit, derisa takime si ky sot japin mundësi që të shkëmbejmë përvojat dhe të mos i përsërisim gabimet tona, meqë ju jeni në faza më të avancuara të procesit, e Kosova mund të përfitojë shumë duke shmangur gabimet eventuale.
Në përfundim, për aq sa jemi në një epoke të re për Ballkanin Perëndimor, duke parashikuar një të ardhme me më shumë prosperitet dhe unitetit të përbashkët brenda Bashkimit Evropian, le të marrim inspirim nga fryma kolektive që na ka sjellë sot në këtë rrugë si një fillim të mbarë. Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është më shumë sesa thjesht proces burokratik: është kthim në gjenezë, është rindërtim i kulturës dhe vlerave të paqes e stabilitetit dhe vizion për të ardhmen e përbashkët të popujve tanë.