Gjeneral-lejtnant i dekoruar rus Vladimir Sviridov, 68 vjeç, dhe gruaja e tij, Tatyana, 72 vjeçe, janë gjetur të vdekur menjëherë pasi oficeri i lartë ushtarak rus kritikoi Vladimir Putinin për atë që ai tha se ishte një ushtri e “rangut të tretë”.
Ish-komandanti i mbrojtjes ajrore ruse dikur kritikoi Putinin për faktin se forcat ajrore ruse sot janë “të rangut të tretë”.
Hetuesit nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë se si vdiqën Sviridov dhe gruaja e tij Tatyana. Çifti i martuar u gjet i vdekur në shtëpinë e tyre në fshatin Adzhievski në rajonin e Stavropolit.
Autoritetet nuk mund të përcaktojnë shkakun e saktë të vdekjes së tyre të papritur, raportojnë mediat lokale.
“Punëtorët e impiantit të gazit kanë kryer matje dhe nuk është konstatuar tejkalim i përqendrimit të lejuar të substancave të dëmshme”, është e vetmja gjë që shkruhet në raport për vdekjen e tyre të çuditshme.
Gjenerali Sviridov dikur komandonte Forcat Ajrore ruse dhe ato të Mbrojtjes Ajrore nga 2005 deri në 2009. Atij iu dha Urdhri i Yllit të Kuq dhe një sërë çmimesh të tjera. Ai la postin e tij si komandant kur ishte 54 vjeç, pas një sërë komentesh të ashpra për forcat e armatosura ruse, transmeton Telegrafi.
Në një intervistë, Sviridov paralajmëroi: “Një pilot duhet të ketë rreth 100 orë fluturimi në vit për gatishmëri të plotë luftarake”. Koha mesatare e fluturimit në ushtri aktualisht është 25-30 orë.
Në një paraqitje tjetër ai u ankua: “Jemi të detyruar të emërojmë oficerë jo të trajnuar sepse nuk ka më të mirë. Për të njëjtën arsye, ne dërgojmë pilotë të dorës së tretë në akademitë ushtarake. Kjo nuk ka ndodhur në të kaluarën”.