Presidentja Vjosa Osmanit më në fund, do të akomodohet në shtëpinë e saj në njërën prej lagjeve më luksoze në Prishtinë, në “Marigona Hill”, kështu bëjnë të ditur burimet e Gazetës Neutral.
Sipas burimeve të Neutralit, Osmani po zhvendoset aty ku jetojnë pasanikët dhe aty ku posedimi i shtëpive është përdorur në politikë, kryesisht nga Albin Kurti, për t’i sulmuar kundërshtarët.
Ndryshe, Osmani deri tani ka banuar në një banesë të vogël në lagjen Bregu i Diellit
Pasuria e Osmanit
Osmani kishte deklaruar se ajo dhe bashkëshorti i saj kanë pasuri të paluajtshme në vlerë 970 mijë 760 euro.
Sipas deklarimit në APK, ata kanë blerë një banim në varg, në vlerë prej 520 mijë eurove dhe është regjistruar në emër të bashkëshortit të presidentes.
Siç është cekur në APK, ky banim në varg është blerë nga shitja e një shtëpie në Australi që ka qenë në pronësi të bashkëshortit të presidentes, shitja e shtëpisë së prindërve, kursime dhe nga hua familjare.
Presidentja ka treguar edhe për një banim tjetër në varg, në lagjen lagjen luksoze, Marigona Hill, në vlerë prej 170 mijë euro.
Te pasuria e luajtshme, Osmani ka të deklaruar vetëm një veturë “Mercedes Benz” në vlerë 12 mijë euro, që është në emër të bashkëshortit.
Para te gatshme në bankë, presidentja ka të deklaruara 294 euro.
Ndërkaq, në deklarim të pasurisë Osmani ka thënë se ka pagë vjetore neto prej 33 mijë eurosh dhe mbi 7 mijë e 600 euro mëditje.