Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, po vazhdon të dëshmojë dëshmitari i 37-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Shefqet Kabashi, i cili po dëshmon në seancë të mbyllur për publikun.
Për dëshmitarin Shefqet Kabashi, ka vazhduar me pyetje mbrojtja e Rexhep Selimit, përmes avokatit Geoffrey Roberts, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Shefqet Kabashi ka filluar dëshminë e tij të martën, ku është marrë në pyetje nga ZPS, mbrojtja e Thaçit përmes avokatit Gregory Keohe, si dhe mbrojtja e Rexhep Selimit, përmes avokatit Geoffrey Roberts, i cili po vazhdon edhe sot me pyetje.
Ndërsa, mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson, ka thënë se nuk ka pyetje për dëshmitarin.
Seanca e sotme po përcjellet me probleme teknike në transmetim.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.