63.2 milionë euro i ka kushtuar vendit furnizimi me energji elektrike të katër komunave veriore për vitin 2022, shkruan Syri.net Kosova
Kështu ka bërë të ditur kryesuesi i bordit të KOSTT-it, Jeton Mehmeti, në Komisionin parlamentar për buxhet, punë dhe transfere.
Aktualisht rryma e harxhuar nga serbët në veri te vendit po mbulohet përmes buxhetit te shtetit, nga mjetet që iu janë dhënë nga qeveria.
Para se qeveria të merrej me mbulimin e rrymës që e harxhojnë qytetarët serbë në komunat veriore, këtë barrë e kanë pasë ‘mbi koka’ qytetarët e komunave të tjera të Kosovës, shkruan Syri.net Kosova
Më saktë, nga përfundimi i luftës deri më 2017, qytetarët e komunave të tjera të Kosovës kanë paguar për rrymën e shpenzuar nga qytetarët në veri të Kosovës.
Gjatë kësaj periudhe kohore, faturat e qytetarëve në komunat e tjera të Kosovës, përjashto veriun, kanë qenë për 3.5 për qind më shtrenjtë.
Qeveria Kurti kishte premtuar se do të gjejë një zgjidhje për këtë problematikë. Madje, në janar të këtij viti ishte paralajmëruar se po punohet në këtë drejtim, por se sot e atë ditë, krejt çka ka bërë qeveria ka qenë ndarja e mjeteve për t’i mbuluar harxhimet e rrymës së shpenzuar në veri.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte thënë se po mundohen të gjejnë një zgjidhje për pagesën e rrymës për serbët e komunave veriore, duke deklaruar se “nuk mund të vazhdojë pafundësisht dhe jemi duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë për të gjetur zgjidhje, të cilat do të mundësojnë faturimin e rrymës të qytetarëve të asaj pjesë”.
Megjithatë, mungesa e mbulimit të konsumit për pjesën veriore vazhdon të paraqesë problem për vendin, paçka se siç e theksuam qeveria ndan mjete për këtë “problematikë”.
Reagon LDK
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka dhënë detaje nga raportimi i zyrtarëve të KOSTT në Komisionin për Buxhet dhe Financa gjatë ditës së sotme, shkruan Syri.net Kosova
Sipas tij, në vitet 2021 dhe 2022 janë paguar 113 milionë euro për rrymën në veri. E sivjet deri në shtator, sipas Hotit borxhi është 25 milionë euro.
“Nga raportimi i KOSTT-it sot në Komisionin për Buxhet, 113 mil euro janë paguara për energjinë në veri për vitet 2021 dhe 2022. Këto mjete janë paguar nga buxheti i shtetit dhe nga dividenta e KOSTT-it për Qeverinë. Sivjet, deri në shtator, borxhi është rreth 25 mil. aAnomalia qëndron edhe në faktin se në vitin 2021, pagesa u bë me vendim të Kuvendit. Ndërkaq, në vitin 2022 u anashkalua Kuvendi dhe pagesa u krye me vendime tjera. Qeveritarët e sotëm nuk kanë lënë gjë pa bërë kundër qeverive të kaluara kur ato detyroheshin të bënin pagesat për energjinë në veri. Tani paguajnë shumëfish më shumë dhe nuk i shihet fundi si do të mbyllet kjo çështje”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Historiku – Vendimet e gjykatave dhe pritjet e qytetarëve për t’u kompensuar
Gjykata Supreme të Kosovës kishte konstatuar se konsumatorët mund të kërkojnë të kompensohen për rrymën e paguar për veriun.
Aktgjykimi i Gjykatës Supreme i ishte dërguar ZRRE-së më 3 prill dhe se “në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi do të ndërmarrë veprimet e nevojshme”.
Gjykata Supreme më 13 prill e ka refuzuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) kundër aktgjykimit të Apelit sa i përket faturimit të energjisë elektrike për pjesën veriore të Kosovës.
Nga përfundimi i luftës deri më 2017, qytetarët e komunave të tjera të Kosovës kanë paguar për rrymën e shpenzuar nga qytetarët në veri të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe kohore, faturat e qytetarëve në komunat e tjera të Kosovës – përjashto veriun – kanë qenë për 3.5 për qind më shtrenjtë.
Më 2017, Gjykata e Apelit kishte vendosur se është e jashtëligjshme praktika që qytetarët e viseve të tjera të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe.
Në vendimin e Gjykatës Supreme u tha se kjo praktikë e faturimit nuk është në përputhje me Ligjin për rregullatorin për energji elektrike, pasi “është bërë trajtim i pabarabartë i banorëve të katër komunave veriore në raport me banorët e pjesës tjetër dhe se i njëjti faturim nuk është i autorizuar me ligj”.
“Konsumatorët të cilët pa bazë ligjore dhe pa dijeninë e tyre janë faturuar dhe kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, u lind e drejta për kthimin e shumës së paguar si kanë vendosur gjykatat e instancave më të ulëta”, u tha në vendimin e Gjykatës Supreme të publikuar më 13 prill.
Lidhur me këtë çështje, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte thënë se Shërbimi i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS) ishte “pasuruar pa bazë ligjore”, duke faturuar qytetarët për energjinë elektrike në veri, pasi të njëjtën ata nuk e kishin konsumuar.
Më 2021, pas një padie të Avokatit të Popullit, Gjykata Themelore e Prishtinës detyroi ZRRE-në që të obligojë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS) për kthimin e mbi 40 milionë eurove te qytetarët e Kosovës, të cilët në periudhën 2012-2017 – kur edhe ka pasur ankesa – kanë paguar rrymën e konsumatorëve në veri.
Nga viti 2017, përgjegjësia e pagesës për rrymën e shpenzuar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, i ka kaluar Qeverisë së Kosovës.
Për çështjen e energjisë elektrike në veri, Kosova dhe Serbia kanë diskutuar edhe në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Më 2013 palët arritën Marrëveshjen për energjinë, e cila nuk është zbatuar. Për shkak të moszbatimit, më 2022, Prishtina dhe Beogradi u pajtuan për Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për energjinë.
Përmes udhërrëfyesit synohet të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.