Një incident mes dy personave ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Osek Hile të komunës së Gjakovës, ku si pasojë një 32-vjeçar ka përfunduar në spital.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Spitalit ‘Isa Grezda’ kanë bërë të ditur se 32-vjeçari ka pësuar lëndime të rënda në pjesën e kokës dhe ndrydhje në gjymtyrë si shkak i goditjeve me mjete të forta.
Ndërkohë rasti është denoncuar edhe në Policinë e Kosovës, të cilët kanë intervistuar personat e përfshirë në rrahje.
Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur rreth orës 03:45 të mëngjesit, kur i dyshuari D.H., 25-vjeçar, i kishte zënë pritën me veturë 32-vjeçarit dhe kishte filluar ta sulmojë duke e goditur në pjesë të trupit me shufra metalike dhe të drurit.
Nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’, me vendim të prokurorit 25-vjeçari është dërguar në qendrën e ndalimit për 48 orë.