Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se spitali më i madh në Gazë, Shifa “duhet të mbrohet”. Luftimet midis forcave izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit – organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – kanë bërë që spitali të rrethohet, duke detyruar mijëra persona që të largohen.
“Shpresa dhe pritja ime është që të ketë veprime më pak ndërhyrëse” nga forcat izraelite, tha Biden në Zyrën Ovale.
Qe tre ditë, spitali Shifa ka mbetur pa rrymë dhe ujë, përderisa luftimet me armë zjarri dhe bombardimet jashtë ndërtesës së spitalit e kanë bërë edhe më të vështirë situatën.
“Ne nuk duam të shohim luftime në spitale”, tha këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.
“Ne duam që pacientët të jenë të mbrojtur. Ne duam që spitalet të jenë të mbrojtura. Ne kemi biseduar me Qeverinë izraelite për këtë çështje dhe ata kanë thënë se ndajnë mendimin se nuk duan të shohin luftime në spitale”.
Sullivan tha se nuk ka përgjigje të lehta lidhur me atë se si Izraeli shtyn përpara operacionet ushtarake rreth spitaleve, por shtoi se këto pyetje janë për ushtrinë izraelite e jo për SHBA-në.
Mijëra persona ishin strehuar në spitalin Shifa, por zyrtarët shëndetësorë në Gazë një ditë më herët njoftuan se shumë palestinezë janë zhvendosur nga spitali si pasojë e luftimeve.
Izraeli ka thënë se ka ofruar korridor të sigurt për ata që duan të largohen. Izraeli ka akuzuar se nën spitalin Shifa, Hamasi ka një qendër komanduese.
Hamasi – që nisi sulmet ndaj Izraelit më 7 tetor, që nxitën luftën aktuale – por edhe stafi shëndetësor në Shifa, mohojnë pretendimet e Izraelit./REL