Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke diskutuar në Institutin “Karl Renner” në Vjenë të Austrisë, ka folur edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Kurti ka treguar se në ditën kritike kishte biseduar me telefon me Ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçlën, nga i cili kishte kërkuar që mos të shkrepej asnjë plumb në drejtim të Manastirit të fshatit ku po qëndronin disa pelegrinë serbë.
“Urdhri im për Ministrin e Brendshëm ishte zero viktima te civilët, asnjë plumb nga policët tanë nuk u shkrep në murin e Manastirit. Çfarë na duhet tani është ekstradimi i këtij grupi të Milan Radoiçiçit. Ai është paraburgosur për pak orë dhe është liruar menjëherë. Tani na duhet ekstradimi i Radoiçicit”, tha Kurti.
Kreu i Qeverisë ka theksuar se më 24 shtator, Serbia e kishte si plan B që “ta detyronte Kosovën”, t’i dërgonte ushtarët e Forcës së Sigurisë në Veri pa pëlqimin e NATO-s dhe më pas të thoshte “ndaleni ushtrinë e Kosovës ose po hyjmë ne me ushtri”.
Por, sipas tij, “asnjëri nga skenarët nuk u realizua, kështu që dolëm fitimtar”, duke shtuar se Serbia filloi me 16 barrikada të vendosura për tri javë, plagosjen e lëndimin e 90 ushtarëve të KFOR-it më 29 maj, më pas me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës në qershor dhe me vrasjen Bunjakut më 24 shtator.
“Nuk na duhet episodi i pestë. Në këtë drejtim na duhet mbështetja e BE-së dhe SHBA-së, që duhet qartësisht të thonë se shenjat e gishtërinjve të Beogradit zyrtar janë mbi çdo gjë që ndodhi më 24 shtator”.