Në Kosovë, ka raste kur gratë blejnë barna për ndërprerjen e shtatzënisë edhe pa përshkrimin e profesionistit shëndetësor.
Këtë e thonë si drejtuesit e institucioneve shëndetësore private, si të atyre publike.
“Sidomos mosha e re e cila pak po hulumton në Google … po i lexojnë edhe po përdorin barna pa përshkrim të gjinekologut. Dhe më e keqja është se barnatoret po ua japin. Me norma ligjore barnatoret nuk guxojnë ta japin atë pa recetë të mjekut”, tha drejtori i spitalit “Lindja”, Dërgut Aliu.
E në mungesë njohurish për përdorimin e terapisë, kjo dukuri po sjellë pasoja tek vet gratë.
“Kemi raste kur ka pasë dhimbje të mëdha mas kësaj terapie, kur e ka marrë pa udhëzimin e gjinekologut është shku në kirurgji edhe ka bo intervenim. Ka mendu se është ndonjë zorrë qorre dhe ka bo intervenimin pa nevojë. Krejt këto janë për shkak të keqpërdorimit të terapisë ose përshkrimit nga personat jo-adekuat”, u shpreh drejtori i Gjinekologjisë në QKUK, Zef Ndrejaj.
Ndrejaj madje ka një thirrje për farmacistët.
Është një kërkesë për farmacistët të mos përshkruajnë këtë terapi për abortin nëpër farmaci të ndryshme pa udhëzimin e mjekut. Ajo është e ndaluar rreptësisht, nuk është e lejuar, po mos të jepet në mënyrë të fshehtë”, deklaroi tutje Ndrejaj.
Megjithatë, sipas Odës së Farmacistëve, shumica dërrmuese e farmacive nuk shesin barna pa përshkrim të mjekut.
“Ka raste të rralla por nuk mund të themi se farmacitë japin duke e ditë rëndësinë e këtyre barnave dhe t’u e ditë efektin që mund ta kenë qoftë edhe të atyre vajzave apo grave të reja. Nuk kemi të prononcuara në Odë se X rasti ka ndodhë në X barnatoren ku X farmacisti e ka bërë një gjë të tillë”, tha kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Kadri Bytyqi.
Kurse arsyet e ndërprerjes së shtatzënisë sipas sociologëve janë të ndryshme.
“Njëherë e kemi planifikimin familjar apo kontrollin e numrit të lindjeve, pastaj është aspekti kohor, ngase koha mundet me qenë e papërshtatshme se është gruaja në moshë të re apo të mitur apo është në kohë të shtyer… Pastaj kemi aspektin financiar. Tek ne kemi edhe aspektin e aborteve selektive ku mëtohet më shumë nga gjinia mirëpo me emancipimin e shoqërisë dhe vetëdijen e ngritur mendoj që dita ditës po zvogëlohet”, u shpreh sociologu, Genc Xërxa.
Ndërsa vet ndërprerja e palejuar e shtatzënisë dënohet deri në 15 vjet burgim.
“Kushdo që e bën një veprim të tillë, kryen vepër penale e cila varësisht prej kryerjes së saj janë të përcaktuara edhe limitet duke marrë parasysh që nëse kryhen me vullnetin apo pa vullnetin e gruas shtatzënë dhe në rast se rezulton me pasoja, qoftë pasoja të rëna për shëndetin e nënës ose mbase edhe me vdekjen e saj atëherë limiti i ndëshkueshmërisë së kësaj vepre është deri në 15 vite”, tha avokati Ardian Bajraktari.
Gjatë vitit të kaluar në Kosovë, vetëm në spitalet publike u realizuan mbi një mijë aborte.