Opozitari serb, Zdravko Ponosh, ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel ka pranuar që të njohë dokumentet dhe simbolet shtetërore të Kosovës më së largu deri më 15 nëntor.
Ndërsa, thotë se ai po pret që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ta shtyjë përpara” Statutin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Kështu ka shkruar ai në platformën e tij në “X” ku konstaton se Statuti i Asociacionit është pranuar nga Vuçiqi “vetëm e vetëm që të mos e nënshkruajë”.
Ndërkohë drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën”, Petar Petkoviq, i ka reaguar Ponoshit lidhur me ato deklarata, duke pretenduar se ato janë dashakeqe dhe se përfaqësojnë një përpjekje të drejtpërdrejtë për të minuar pozicionin e Serbisë dhe për ta vështirësuar pozitën negociuese të Beogradit në dialogun me Kosovën.
“Sigurisht që do të rezultojë se kjo nuk është hera e parë që Ponosh mashtron publikun, sepse sigurisht që ai nuk e kupton dialogun, por për këtë e di se po mashtron dhe gënjen, duke fshehur se një pjesë e mirë e obligimeve nga dialogu janë rezultat i marrëveshjeve të nënshkruara nga Borko Stefanoviq në kohën kur Ponoshi ishte në pushtet”, ka theksuar Petkoviq në një deklaratë me shkrim për media.
Siç shton ai, në ato marrëveshje që janë nënshkruar në vitin 2011, Ponosh ka pranuar që Borko të nënshkruajë vërtetimin e vulës doganore, letërnjoftimit të Kosovës, targës RKS dhe patentë shoferit të Kosovës, raporton KO.
Siç thekson ai, “është paturpësi e pastër” që tani Ponoshi e respekton presidentin Vuçiq për çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën, kur falë Vuçiqit u tërhoqën 27 njohje të Kosovës, ndërsa në kohën e Ponoshit 85 shtete e njohën Kosovën.
Petkoviq thekson se gjithmonë po bëhen përpjekje për të minimizuar pasojat negative të “Marrëveshjeve të Borkut”, të cilat shkaktuan dëme të mëdha.
“Por përkundër gjithë kësaj, Vuçiq u tha qartë liderëve të BE-së, por edhe shumë herë zyrtarëve të shumtë botërorë, por edhe publikut, se ai kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe as nuk do të lejojë të ashtuquajturin anëtarësim të Kosovës në OKB-së dhe agjencive dhe organizatave të sistemit të OKB-së”, theksoi ai.