Tentimi për t’i “fshehur” detajet e pa përkryera kudo në trup, në ditët e sotme është shumë prezente si te gratë ashtu edhe te burrat në Kosovë. Këto ndërhyrje sa delikate po aq edhe precize kërkohet të kryhen nga mjek specialist për këtë fushë, shkruan Gazeta Neutral.
Megjithatë, jo cdo gjë po shkon vaj në këtë industri tejet fitimprurëse për “doktorët” e vetëshpallur.
Gazeta Neutral, gjatë një hulumtimi ka zbuluar se në Kosovë përdoret një material, që hyn në familjen e botox-it e që quhet “M Tox”.
Ky produkt, gjendet lehtësishtë në ordinancat estetike e që po përdoret me të madhe tek pacientët.
“M Tox”, sipas përshkrimit “përdoret për të penguar aftësinë tkurrëse të muskujve për të hequr rrudhat e thella dhe vijat e holla”. Përtej përshkrimit, ky produkt del se është toksin për paralaizim të nervave dhe që sipas rregullores, do të duhej të kontrollohet në mënyrë strikte.
Kush e importon këtë produkt “vdekjeprurës”?
M-Tox i cili shërben për paralizim të nervave, po del se shitet në Kosovë lehtësisht nga një qarkullues me shumicë i produkteve dhe pajisjeve medicionale duke u thirrur nën brendin Italian.
Mirëpo ky produkt nuk figuron askund në Itali e poashtu produkti “misterioz” nuk figuron as i importuar me leje përkatëse në Kosovë e cila do të duhej të lëshohej nga organet kompetente për shkak të rrezikshmërisë së tij.
Agjencia e Barnave e Kosovës, në një përgjigje për Gazetën Neutral ka thënë se importues është kompania “Dermals SH.P.K.”.
“Nga baza e të dhënave të cilat i disponojmë në AKPM, janë gjetur të dhënat si më poshtë : Dermals SH.P.K me numër të biznesit 810147935 është licencuar si ‘Qarkullues me shumicë i produkteve dhe pajisjeve medicinale’ nga muaji tetor i vitit 2021”, thuhet në përgjigje.
Gazeta Neutral ka kontaktuar pronarin e kësaj kompanie, Sali Imerin i cili në përshkrimin e aktiviteteve në ARBK ka si prioritet primar “ Tregtinë me shumicë të artikujve farmaceutikë”.
Imeri, me të dëgjuar pyetjen refuzoi kategorikisht të jap përgjigje për “M-Tox”.
“Nuk jam i obliguar zyrtarisht, ligjërisht – realisht nuk jam i obligum me jep përgjigje. Nuk dua të prononcohem”, tha Imeri derisa shprehej i revoltuar.
Për “M-Tox”, Dogana e Kosovës nuk ka asnjë të dhënë e poashtu as AKPM-ja, këto dy institucione kaq të rëndësishme ku çdo mall që importohet dhe eksportohet duhet të kalojë përmes “llupës” së tyre.
Për më tepër, skandali thellohet edhe më shumë. Shteti nuk ka asnjë të dhënë në lidhje me dokumentacionin për këtë produkt.
Ky botox, në Kosovë shitet si brend Italian ndërsa e vërteta do del të jetë kogja e frikshme.
Në Itali, nuk ka dëshmi për ekzistencën e kësaj kompanie. Dyshimet u ngritën në momentin kur redaksia pa se “M Tox” nuk ka origjinë ndërsa skandali thellohet edhe më shumë pasi as Kosova, nuk ka dokumentacion për origjinën e tij.
“Produkti M Tox (botolunium toxin) Botox, nuk është importuar përmes Agjencisë të Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, që do të thotë se nuk kemi të dhëna dhe dokumentacion lidhur me produktin M Tox”, thuhet në përgjigjen nga Agjensia e Barnave.
Për origjinën e brendit “M Tox”, në të vërtetë nuk ka informacione as Zyra Tregtare Italiane.
Në një përgjigje për Gazetën Neutral, kjo zyrë thotë se “e kam të pamundur të gjej informacione të mëtejshme. Web site-i që më ke sinjalizuar i referohet vetëm produktit që t’i përmend dhe jo kompanisë: nuk ka as numër telefoni dhe as numër identifikimi të biznesit, që zakonisht sipërmarrjet italiane e vendosin në fund të faqes”, përfundon përgjigja.
Në terr informativ gjendet edhe Agjensioni Italian i Bizneseve.
Nga ky agjension deklarojnë për Neutralin se “produkti M Tox është shumë sensitive dhe potencialisht i rrezikshëm”. Andaj, edhe kanë kërkuar ta bëjnë verifikimin në rast se kompania importuese Dermal shpk është “me të vërtetë italiane”.
Në lidhje me dyshimet e ngritura për këtë rast, Neutral ka kërkuar nga Inspektorati Farmaceutik nëse është duke u marrë me këtë cështje.
Përmes një përgjigje zyrtare të dërguar një muaj më parë, thonë se “Inspektorati Farmaceutik është duke ndërmarrë të gjitha veprimet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës”.
E një muaj mw pas, duket se s’ka lëvizuar asgjë në këtë drejtim nga Inspektorati Farmaceutik.
Drejtoresha e Inspektoratit Farmaceutik, Remzie Thaqi përmes bisedës telefonike i tha Neutralit se “ende janë duke i zhvilluar hetimet”.
Këtë produkt të dyshimtë, po e përdor me të “madhe” edhe “doktoresha”, Fitore Bytyçi.
Bytyçi, sipas përgjigjes nga Oda e Mjekësve të Kosovës, nuk figuron askund në listë.
“Ju informojmë se në regjistrin e anëtarëve të Odës së Mjekëve të Kosovës emri i personit Fitore Bytyçi nuk figuron, rrjedhimisht ky person nuk posedon licencë pune të leshuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës.”.
Bytyçi, për disa vite rresht u prezantua rrejshëm si doktoreshë, ani pse nuk kishte licencë për këtë titull.
Fitore Bytyçi arriti t’i bind shumë persona që t’ia besojnë fytyrën, pasi që ishte prezantuar me titull “Doktor i Mjekësisë”.
Mbi të gjitha, Bytyci mban edhe trajnime për këtë fushë.
Në rrejtet sociale, lehtësisht mund të gjendet ku Bytyçi bën thirrje për pjesëmarrje në trajnimin që ofron ku promovon edhe “M-Tox”.
Lidhja familjare e “doktoreshës” Fitore Bytyci dhe pronarit të “Dermal SH.P.K”, Sali Imeri
Kompania “Dermal Sh.P.K”, dhe qendra estetike Miliona Aesthetic, del se bashkëveprojnë me njëra-tjetrën.
Imeri përmes kompanisë së tij krijon mundësinë e importit të “M-Tox” dhe shitjen, derisa bashkëshortja e tij, përmes Miliona Aesthetic e përdor këtë produkt tek klientët e saj. Po ashtu, sikur të mos përfundonte me kaq, Bytyci mban edhe trajnime për përdorimin e tij.
Përvec Kosovës, dyshja planifikon që ta zgjerojë shtrirjen e shitjes së “M-Tox-it” në Shqipëri.
Përmes një njoftimi, bëhet e ditur se në kuadër të Kongresit Ndërkombëtar të Shkencave Mjekësore do të mbahet një trajnim me tri module të trajnimeve në Tiranë ku ndër produktet e tjera është edhe “M-Tox”.