Avni Dehari, babai i ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, ka reaguar pas ftesës që prokurori Afrim Shefiku ia ka bërë ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu që të paraqitet në Prokurorinë Speciale të Kosovës për një status në llogarinë e saj në Facebook lidhur me rastin “Dehari”.
Dehari, në 12 pika, ka thënë mes tjerash se Afrim Shefiku mund të jetë gjithçka tjetër, “por assesi nuk mund të jetë prokuror, pasi sipas tij, i njëjti për pesë vjet me radhë, vazhdon të bëjë shkelje të rënda për ta fshehur të vërtetën për vdekjen e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren”.
“E para, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, si ish-kolegu i tij Sylë Hoxha, asnjëherë nuk na ka ftuar si prindër të na njoftojë për ecurinë dhe për rezultatet e hetimeve për vrasjen e djalit tonë në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit, më 5. 11. 2016”.
“E dyta, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, qëllimisht ka manipuluar me të dhënat e raportit të parë të hetuesve ndërkombëtarë të Mjekësisë Ligjore nga Lozana e Zvicrës, të angazhuar që nga viti 2017, që përjashtojnë mundësinë e vetëvrasjes së Astritit dhe porositin që të kihet parasysh prania e personit të tretë me rastin e vdekjes së Astritit, në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit”.
“E treta, prokuroi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, edhe me konferencë për media, që bie në kundërshtim me praktikën juridike, qëllimisht ka manipuluar me raportin e dytë të hetuesve ndërkombëtarë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Lozanës së Zvicrës, që edhe në këtë raport vërtetojnë tezën e raportit të parë për vrasjen e Astritit në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit”, shkroi Dehari.
Më tej, ai tha se prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefiku, edhe pse hetuesit ndërkombëtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës, në në raportin e tyre pohojnë se, siç tha ai, u është dërguar zarfi i zbrazët, pa thonjtë e Astritit, që atyre u nevojiteshin për ekzaminim, nuk ka nisur hetim penal kundër askujt që e ka bërë këtë shkelje.
“E pesta, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, edhe pse në raportin e dytë të hetuesve ndërkombëtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës, thuhet se u janë dërguar mostra të papërdorshme, që janë dëmtuar për shkak të ambalazhimit joprofesional, nuk ka nisur hetim penal kundër askujt që e kanë bërë këtë shkelje”.
“E gjashta, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, edhe pse në raportin e dytë të hetuesve ndërkombëtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës thuhet se nuk është shfrytëzuar për ekzaminim trupi i Astritit, që do të bënte provën kryesore për zbardhjen e vdekjes së Astritit në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit, nuk ka nisur hetim penal ndaj atyre, që me qëllim nuk e kanë bërë ekzaminimin e trupit për ta fshehur të vërtetën për vrasjen e Astritit”.
E shtata, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, nuk ka nisur hetim penal për zhdukjen e 12 mostrave të Astritit në dhjetor të vitit 2022 në Laboratorin e Toksikologjisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, për të cilat Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pezulluar nga puna 4 zyrtarë të Mjekësisë Ligjore: Nardi Sheqergjiun, toksikolog mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, Flutura Gogën, udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Anila Laknën, teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore dhe Ilirjana Shala, kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore, si dhe ka kërkuar nga Prokuroria që të merren masa ligjore kundër këtyre personave”, shkroi më tej Dehari.
Tutje, Dehari tha se prokurori Shefiku nuk ka nisur hetim penal as kundër Komisionit të Ankesave në kuadër të IML-së, që sipas tij, me vendim të datës 27 janar të vitit 2023, i ka kthyer në punë katër zyrtarët e pezulluar, pa konstatuar se “ishte/ishin personat përgjegjës për zhdukjen e mostrave”.
E nënta, sipas tij, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, ka bërë shkelje duke mos iu përgjigjur dhjetëra kërkesave me shkrim, “që avokati i familjes Tomë Gashi në emër tonë, ia ka drejtuar atij që të na ftojë për të na njoftuar se çfarë ka ndodhur me mostrat e zhdukura të Astritit nga Laboratori i Toksikologjisë së Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës”.
“E dhjeta, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, ka nisur hetim penal kundër Ministres së Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që ka kërkuar të zbardhet rasti i Astritit, por asnjëherë nuk ka kërkuar hetim për keqpërdorimin e pozitës zyrtare të ish-Ministres së Drejtësisë Dhurata Hoxha, që në kundërshtim me ligjin i ka publikuar në TV videoincizimet dhe ka kërkuar të ndiqen penalisht avokati Tomë Gashi dhe dy ekspertët e pavarur të mjekësisë ligjore Besim Imaj dhe Besim Latifaj, që kanë sjellë fakte për vrasjen e Astritit në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit”.
“E njëmbëdhjeta, Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, asnjëherë nuk ka kërkuar të hetohet ish-kolegu i tij, Sylë Hoxha, që në kundërshtim me ligjin, pa u bërë ende analizat nga ekspertët zyrtarë, ka tentuar për dy javë ta mbyllë rastin e Astritit si vetëvrasje”.
“E dymbëdhjeta, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, duke mos kërkuar asnjëherë të hetohen manipuluesit, të cilët që nga fillimi kanë penguar, por edhe tash pengojnë të zbardhet rasti i vdekjes së Astritit në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit dhe duke kërkuar që të ndiqet penalisht Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, hapur merr anën e urdhërdhënësit dhe vrasësve të Astritit, që nuk lënë gur pa lëvizur për të ta fshehur të vërtetën për vrasjen e Astritit”, tha Dehari.
Dehari akuzoi prokurorin e Prokurorisë Speciale se në vend se ta nxjerrë në shesh të vërtetën për “vrasjen e Astritit në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit, shkel ligjin për ta mbrojtur urdhërdhënësin për vrasjen e Astritit dhe vrasësit e Astritit në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit më 5.11.2016”.
“Rrjedhimisht, ne si prindër të Astritit të vendosur për zbardhjen e rastit dhe për nxjerrjen e personave përgjegjës para drejtësisë ligjore, kërkojmë nga institucionet përgjegjëse dhe kompetente për ndjekjen e krimit të rëndë – vrasjes, shkarkimin e Afrim Shefkiut nga rasti i Astritit, ndjekjen e tij penale për manipulim, neglizhencë, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe fshehje të vrasësve të Astritit”, shkroi Dehari.