Rezoluta e propozuar nga AAK-ja për rritjen e koeficientit të pagave ka dështuar sot në Kuvendin e Kosovës.
Për këtë rezolutë kanë votuar 28 deputetë pro, 52 kundër dhe 4 kanë abstenuar.
Këtë qëndrim të VV-së e ka kritikuar kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
Ai tha për Front Online se Qeveria po vepron me tendencë.
Jasharaj ka kërkuar nga deputetët të mbajnë sërish seancë për t’ia ndryshuar mendjen mazhorancës.
“Qeveria nuk po vepron mirë me këto vendime tendencioze. Vlera që është 110 euro e koeficientit nuk mjaftojnë për askënd, do t’u kërkojë deputetëve një debat mirëkuptimi që ta lëvizin vlerën e këtij koeficienti dhe qeveria të reflektojë”, u shpreh Jasharaj.
Kreu i SBASHK-ut thotë se vlera e koeficientit për 2024 nuk është pritur mirë.
Ai tha se do ketë rritje ironike të pagës me këtë koeficient.
“Deklarimi i Qeverisë se vlera e koeficientit për vitin e ardhshëm do të jetë 110 nuk e kemi pritur mirë se ngritja e pagës është tejet minimale dhe ironike. Te arsimi fillor dhe i mesëm, ngritje do të ketë 28 euro e te shkollat e mesme të larta 29 euro është e ulët duke marr parasysh rritjen e çmimeve”, ka deklaruar Jasharaj.