Sekiraqa flet nëse ishte ngatërruar me Triumfin për Adelina Ismailin?

Unë nuk kam pas asnjë arsyje, as motiv, as shkas, për asnjë send më të vogël me pas problem të çfarë do llojit me të ndjerin Triumf Riza, larg qoftë, me mendu apo me nxitë, apo organizu vrasjen e një polici të Kosovës”.

Enver Sekiraqa i akuzuar për nxitje në rastin e vrasjes së policit Triumf Riza në vitin 2007 u ul sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës, seancë në të cilën i njëjti dha mbrojtjen e tij.

Sekiraqa u përgjigj në pyetjet e anëtarëve të trupit gjykues të përbërë prej kryetarit Agim Kuçi dhe anëtarëve Ngadhnjim Arrni dhe Medije Bytyqi.

Ndërkaq pyetje nuk i parashtruan prokurori i rastit Shpëtim Peci, avokatja mbrojtëse e tij Kosovare Kelmendi, e as i dëmtuari Shefqet Riza, babai i të ndjerit Triumf Riza.

Gjatë mbrojtjes së tij Sekiraqa u deklarua rreth raporteve të tij me të ndjerin Triumf Riza si dhe me të dënuarin për vrasjen e tij Arben Berisha.

Lidhur me Arben Berishën, në pyetjen e gjyqtarit Ngadhnjim Arrni, Sekiraqa deklaroi se nuk e ka njoftë pothuajse fare dhe nuk e ka lidhur asgjë me të.

“Arben Berishën unë nuk e kam njohur thuajse fare, ai ka qenë një gjeneratë shumë më e re se unë dhe mua asgjë s`më ka lidhur me të, kurrëfarë pune apo biznisi apo pazari apo lidhje familjare” – tha Sekiraqa.

Ndërkaq përmendi edhe faktin se i dënuari Berisha ka pasur shoqëri me tani të dyshuarin për vrasjen e Rizës – Ilir Abdullahu, i cili tashmë ndodhet në paraburgim.

“Unë me Arben Berishën nuk jam shoqëru kurrë, me të janë shoqëruar dajtë pak, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu”.

Ndërsa për Triumf Rizën ai rrëfeu një ngjarje ku sipas Sekiraqës ky i fundit e kishte shpëtuar nga më e keqja.

“Problem me Triumfin në të cilin ka marrë pjesë edhe ai është problemi i Swiss Casinos i cili ka ndodhë kah fundi i vitit 2005, atë problem e ka filluar A. S… Ju e dini shumë mirë se unë vetë kam deklaruar para jush dhe shumë vite më parë para trupit gjykues tjetër dhe para prokurorit se Triumfi në atë rast më ka shpëtu nga më e keqja, nga plumbat”- u shpreh Sekiraqa.

“Unë kurrë nuk e harroj se kam mujt aty unë me qenë i vdekur, ai më ka ngreh për jakne mirëpo ajo ka qenë shpëtimi im”- shtoi ai më tutje.

Pyetje i parashtroi edhe kryetari i trupit gjykues Agim Kuçi, një prej të cilave pyetje kishte të bënte me motivin e kryerjes së veprës për të cilën ai akuzohet.

“Unë nuk kam pas asnjë arsye, as motiv, as shkas, për asnjë send më të vogël me pas problem të çfarë do llojit me të ndjerin Triumf Riza, larg qoftë, me mendu apo me nxitë apo organizu vrasjen e një polici të Kosovës”- tha Sekiraqa

E kështu e mohoi edhe se ka ndonjë motiv që lidhet me këngëtaren Adelina Ismaili, e cila ka dëshmuar në gjykimet për këtë rast.

“Motivi për të cilin flitet se kinse unë jam kapur me Triumfin për shkak të Adelinës nuk ekziston as nuk ka ekzistuar kurrë”- u shpreh ai.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më datë 7 dhjetor.

/Kallxo.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *