Anulimin e protestës se djeshme të policisë elite të Kosovës e ka mirëpritur edhe Sindikata e Policisë, e cila shprehet optimiste se në takimin e radhës me kryeministrin Albin Kurti, do të arrihet një marrëveshje ndemjet policisë dhe qeverisë.
Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës tha se ka ardhur koha që kërkesat e policisë të plotësohen.
“Sindikata e Policisë e ka mirëpritur reflektimin e qeverisë, në mënyrë që kërkesat të zgjidhen me dialog dhe jo me forma të tjera. Anulimi i protestës pas premtimit të kryeministrit Albin Kurti është reflektim pozitiv dhe shpresoj që ka ardhur koha që kërkesat e policisë të realizohen”, deklaroi Zeqiri për RTK
Ai përmendi disa kërkesa që ka paraqitur Sindikata, por edhe njësia FIT kohën e fundit: “Sigurimi shëndetësore dhe jetësore i policisë dhe Ligji për pensionim në moshën 55 vjeç”.
Zeqiri tha se ka 10 vjet që është hartuar Ligji për pensionimin e Policisë në moshën 55 dhe vjeçare, dhe secila qeveria ka premtuar miratimin e ligjit, dhe asnjëra nuk e ka realizuar premtimin.
“Në jemi policia e vetme në rajon që jemi pa sigurime. Rreth 5 milionë euro bëhet sigurimi për gjithë policinë, këtë edhe e kemi kalkuluar. Po ashtu kërkesa tjetër është Ligji për pension në moshën 55 vjeçe, pasi Policia e Kosovës është më e vjetra në rajon, me mosha mesatare 47 vjeç”, deklaroi kryesidikalisti i Policisë.
E së fundmi ai përmendi edhe rrezikshmërinë, e cila ka 9 muaj që nuk është paguar.
“Besoj shumë se pas takimit me kryeministrin Albin Kurti do të gjendet një marrëveshje për policinë, pasi ne nuk po kërkojmë lluks, por një pagë për mbijetesë”, tha Zeqiri, sipas të cilit, nëse takimi nuk sjellë rezultatet, ai nuk e përjashtoi mundësinë që policia t’i heq rrobat.
“Unë po shpresoj dhe po besoj se në takim me kryeministrin Kurti do të ketë reflektim pozitiv, e kundërta mund të sjell ndoshta edhe një dalje masive nga policia. Pakënaqësitë janë në rritje e sipër, dhe unë shpresoj që kjo të mos ndodhë. Nuk jemi ata që po duam ta ngufatim qeverinë, sepse jemi apolitik, dhe nuk duam të shkatërrojmë atë që është ndërtuar deri tash”, deklaroi Zeqiri, sipas të cili, pakënaqësia në polici vetëm sa do të rritet.