Gjykimi për vrasjen e ndodhur 22 vite më parë, dëshmitarët qëndrojnë pranë deklaratave të dhëna më parë

Në rastin ku Fahri Kajtazi, Labeat Kastrati dhe Hamdi Marviqi, po akuzohen për vrasjen e A.M, në vitin 2001 në Prishtinë, dëshmitarët Ibër Alaj dhe dhe Halil Lekaj deklaruan se mbesin pranë deklaratave të dhëna në vitin 2002.

Këto deklarime, dëshmitarët Alaj e Lekaj i dhanë në seancën e së martës, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Bashkim Zeqaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Alaj deklaroi se qëndron pranë deklarimeve të dhëna më parë përkatësisht atë të dhënë më 6 maj 2002 para gjyqtarit hetues si dhe më 4 shtator 2002 në shqyrtim gjyqësorë.

“Po qëndroj sepse edhe nëse mendoj me ndryshu diçka nuk mundem sepse është e pamundshme prej një kohe të gjatë që ka ndodh”, tha dëshmitari Alaj.

I njëjti deklaroi se nuk i kujtohet se çfarë kishte ndodhur ditën kritike më 17 dhjetor 2001.

“Rasti ka pasur të bëj me një vrasje, në të cilën kohë unë kam qenë menaxher në lokalin që është tek Pallati i Rinisë në atë kohë, emri i të cilit lokal për momentin nuk më kujtohet”, tha Alaj.

Po ashtu, i njëjti tha se nuk është në dijeni se kush është vrarë pasi që ngjarja kishte ndodhur jashtë lokalit.

“Jo, për shkak se ngjarja ka ndodh jashtë lokalit dikun në larg 50-60 metra nga lokali, dhe mandej e kemi pa se kanë ardhë forcat e policisë sepse ne nga lokali i kemi nxjerr të dy palët jashtë me qëllim që mos të ndodh diçka brenda lokalit”, tha dëshmitari Alaj.

Mirëpo, ngjarjen në fjalë ai tha se nuk e ka parë për shkak se e njëjta kishte ndodhur natën dhe nuk ka pasur ndriçim të theksuar.

Edhe dëshmitari Lekaj, deklaroi se qëndron pranë deklarimeve të dhëna më parë, më 14 janar 2002 dhe 30 gusht 2002.

“Pas gjithë asaj që kam thënë më herët qëndroj mbrapa deri sa të jem gjallë”, tha dëshmitari Lekaj.

I njëjti tha se nuk është në dijeni për distancën në mes të të ndjerit dhe tani të akuzuarit Kajtazi kur ky i fundit kishte filluar të shtënat.

“Krejt ajo çfarë kam të shtoj lidhur me këtë rast është se më vjen keq për atë se çfarë ka ndodh se nuk kam se çfarë të shtoj”, tha Lekaj.

Ndryshe, në këtë seancë mungoi dëshmitarja Laura Nushi e cila sipas gjykatësit Agim Kuçi ka qenë e njoftuar nga seanca e kaluar, mirëpo e njëjta mungesën e saj nuk e ka arsyetuar.

Për të njëjtën, gjykatësi Kuçi tha se do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 29 nëntor 2023.

Ndryshe, në seancën e rigjykimit të mbajtur më 22 shkurt 2023, tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

Për këtë çështje, Gjykata e Qarkut në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim më 1 dhjetor 2002, ku të akuzuarit Labeat Kastrati, Fahri Kajtazi dhe Milaim Cakaj i kishte shpallur fajtorë, ndërsa të akuzuarin Hamdi Mavriqi e kishte liruar nga akuza.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Kastrati dhe Kajtazi ishin dënuar me nga 3 vite burgim (secili veç e veç), ndërsa i akuzuari Cakaj me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.

Ndërsa, të akuzuari Mavriqi e Kastrati me aplikimin e dispozitës së nenit 350 të Ligjit të Procedurës Penale (LPP), janë liruar nga akuza.

Në këtë rast, prokurori publik kishte bërë ankesë në Gjykatën Supreme, ku kishte kërkuar që aktgjykimi që ka të bëjë me të akuzuarin Milaim Cakaj dhe ai i mbrojtësve të tij të refuzohet si i pabazuar dhe në këtë pjesë aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë i datës 1 shtator 2002 të vërtetohet.

Ndërsa, më 26 nëntor 2009, Gjykata Supreme kishte miratuar ankesën e prokurorit publik të Qarkut në Prishtinë dhe mbrojtësve të të akuzuarve Labeat Kastrati dhe Fahri Kajtazi, me ç’rast kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të 1 dhjetorit 2002, që ka të bëjë me të akuzuarit Labeat Kastrati, Hamdi Mavriqi dhe Fahri Kajtazi dhe kishte vendosur në këtë pjesë që lënda t’i kthehet së njëjtës gjykatë për rigjykim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 24 qershor 2002, më 17 dhjetor 2001, në “Inter Klub” në Prishtinë, të akuzuarit Fahri Kajtazi, Milaim Cakaj, Labeat Kastrati dhe Hamdi Mavriqi pas disa fjalosjeve- zënkave, sharjeve dhe kërcënimeve ishin gjuajtur me armë me qëllim që të privojnë nga jeta njëri-tjetrin.

Mirëpo, të akuzuarit Kastrati dhe Mavriqi duke shtënë në drejtim të Kajtazit, një predhë e njërit prej tyre e godet për vdekje tani të nderin A.M, të cilin qytetarët e dërgojnë në Spital, për t’i dhënë ndihmë, ku mjekët e konstatojnë vdekjen e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *